Evropa në alarm; BE ndalon udhëtimet për 30 ditë

Aktualitet Botë/Rajon

Të gjitha udhëtimet jo të nevojshme brenda vendeve të BE-së do të ndalohen për 30 ditë. Evropa është kthyer në kryeqendrën e koronavirusit.

Brukseli po e vendos këtë kufizim si një masë për parandalimin e përhapjes së virusit, ndërsa lajmi u dha sot nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një konferencë për mediat.

“Sa më pak të udhëtojmë, aq më shumë mund ta ndalojmë përhapjen e virusit. Pasi sapo kam njoftuar partnerët tanë G7, propozoj që të vendosni kufizime të përkohshme për udhëtimet jo thelbësore në BE. Ky kufizim udhëtimi duhet të jetë i vendosur për një periudhë fillestare prej 30 ditësh, e cila mund të zgjatet nëse është e nevojshme. Ka përjashtime – për rezidentët afatgjatë në BE, anëtarët e familjeve të shtetasve të BE-së, si dhe diplomatët, mjekët, infermierët, studiuesit dhe ekspertët. Ne duhet të marrim masa të jashtëzakonshme për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve tanë”, tha Von der Leyen.