Mjekët shqiptarë në Evropë të shqetësuar për kolegët e tyre në Shqipëri “Po abuzoni, mjaft dhatë antibiotikë për Covidin”

Aktualitet Botë/Rajon

Përdorimi i tepruar i antibiotikëve në rastet e lehta me COVID në Shqipëri shihet me shqetësim nga mjekët shqiptarë që punojnë në vende të ndryshme të Evropës. Të mbledhur në një konferencë virtuale nga Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë ata thonë se në Shqipëri antibiotiku përdoret pa kriter.

“Në Shqipëri japin antibiotik të gjeneratës 4, japin oksigjenoterapi në shtëpi në mënyre masive. Ky është një abuzim i jashtëzakonshëm, në qoftë se vazhdon dy tre muaj do na vdesin njerëzit”, thotë Vablona Selimaj, mjeke në Belgjikë.

“Këtu janë shume striktë, duhet te marrim leje tek mikrobiologu, është çmenduri të përdoresh antibiotik venoz”, thotë Adrian Fandi.

Ajo çfarë mjekët apelojnë është trajtimi në mënyre simptomatike e rasteve të lehta. “Këtu kemi një infeksion viral, si do ta mjekojmë një infeksion viral me antibiotik? Ne me antibiotikë mjekojmë vetëm infeksionet bakteriale”, tregon Nazer Ahmeti.

“Rastet e lehta ne i lëmë në shtëpi me vitaminë C, D, Zink dhe Paracetamol”, tregon Teli Kamberi.

Përpos asaj çfarë ndodh në realitet, udhëzuesi që Ministria e Shëndetësisë ju ka dërguar mjekëve të familjes, parashikon vetëm vitamina në rastet e lehta dhe antibiotik në rastet e rënda. Të dyja skemat e barnave janë te rimbursuara nga shteti kur tamponi rezulton pozitiv.