Nga sot 2000 lekë gjobë kush nuk vendos maskën!

Aktualitet Botë/Rajon

Qeveria shqiptare vendosi sot përdorimin e maskës/barrierën mbrojtëse prej tekstili si të detyrueshme në çdo ambient të mbyllur. Masa e gjobës është vendosur 2 mijë lek të reja për çdo thyerje të rregullit. Pas mbledhjes së qeverisë, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se ky vendim, është një tjetër hap drejt forcimit të masave për frenimin e përhapjes së COVID19.

“Nëpërmjet vendimit të sotëm të qeverisë dhe aktit normativ, detyrimi për përdorimin e maskave jo mjekësore/barrierave mbrojtëse për mbrojtjen ndaj transmetimit të COVID 19 do të jetë detyrim për çdo individ në të gjitha ambjentet e mbyllura; në administratën publike dhe jo publike; në transportin publik; në zyra, shkallë pallati, ashensorë, në qendrat tregtare, dyqane, supermakatat, tregjet dhe njësitë e shërbimit. ‘Sakrifica’ që kërkohet prej jush nuk është mbyllja. Ajo çfarë kërkohet është vendosja e maskës, për të mbrojtur veten, për të mbrojtur të afërmit”, tha Manastirliu.
Në rast të mosrespektimit të këtij detyrimi, policia e shtetit, policia bashkiake, strukturat e inspektoriateve shtetërore, do të penalizojnë me gjobë shkelësit.