Napoli interesohet për trajnerin e Milanit, Stefano Pioli

Sport

Napoli interesohet për trajnerin Stefano Pioli. E ardhmja e teknikut italian në krye të Milanit duket shumë në pikëpyetje dhe mundësitë janë të mëdha që në mbyllje të këtij sezoni futbollistik, ai të largohet nga drejtimi i skuadrës.

Megjithatë, edhe nëse diçka e tillë ndodh, Pioli pritet të jetë sërish menjëherë aktiv në Serie A. Mediat italiane bëjnë me dije se është pikërisht Napoli që ka nisur të interesohet me 58 vjeçarin. Madje, klubi jugor ka shkuar edhe më tej, duke i ofruar 3 milionë euro në sezoni teknikut në fjalë.

Me Milanin, Pioli përfiton 4 milionë euro. Nëse pranon ofertën e Napolit, atëherë, në aspektin financiar, për italianin do të ishte një hap prapa. Gjithësesi, nga ana tjetër, Napoli do t’i mundësonte atij të kthehej sërish sfidues dhe të garonte me skuadrat më të forta dhe të luftonte për trofetë më të rëndësishëm të vendit, e pse jo edhe më gjerë.

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, është i vendosur që këtë verë të shpenzojë në merkato, në mënyrë që sezonin e ri, ekipi të mos ketë të njëjtën fytyrë sikurse sivjet, duke marrë parasysh këtu mbrojtjen e shëmtuar të titullit kampion të fituar një vit më parë.

Gjithësesi, se çfarë do të ndodhë në të gjithë këtë panoramë, kjo mbetet për t’u parë në të ardhmen e afërt. Kontrata aktuale e Piolit me Milanin është e vlefshme edhe për një tjetër vit, kështu që filllimisht, italiani duhet të lirohet nga kuqezinjtë, dhe pastaj të mendojë për Napolin.