Liderët e BE’së: Britania e Madhe të largohet menjëherë

Politikë

13515328 1138050529601201 1671236155 n 1466765680 5284384

Në një komunikatë të përbashkët për media, presidenti i Parlamentit Evropian Martin Schulz, presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk, bartësi i Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian Mark Rutte, si dhe presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, kanë thënë se Britania e Madhe duhet të largohet menjëherë nga BE, në mënyrë që mos të krijohen paqartësi nga vonesat.
Presidenti Schulz, president Tusk dhe kryeministri Rutte u takuan sot në mëngjes në Bruksel me ftesë të presidentit të Komisionit Evropian, Juncker. Ata diskutuan rezultatin e referendumit të Britanisë së Madhe dhe lëshuan këtë komunikatë për media:

“Në një proces të lirë dhe demokratik, populli britanik ka shprehur dëshirën e vet për të dalë nga Bashkimi Evropian. Na vjen keq për këtë vendim, por e respektojmë.

Kjo është një situatë e paparë deri më tani, por ne jemi të bashkuar në përgjigjen tonë. Qëndrojmë të fortë dhe mbajmë vlerat thelbësore të BE-së për promovimin e paqes dhe mirëqenies së njerëzve të tonë. Bashkimi [Evropian] prej 27 anëtarësh do të vazhdojë.

Bashkimi Evropian është korniza e të ardhmes sonë të përbashkët. Na lidh historia, gjeografia dhe interesat e përbashkëta, prandaj do të zhvillojmë bashkëpunimin tonë mbi këto baza. Bashkërisht do t’i adresojmë sfidat tona të përbashkëta në mënyrë që të prodhojmë rritje [ekonomike], ta rrisim prosperitetin dhe të sigurojmë një mjedis të sigurt për qytetarët tonë. Institucionet do të luajnë një rol të plotë në këtë përpjekje.
Ne, tani presim nga Qeveria e Britanisë së Madhe që ta fusë në fuqi këtë vendim të popullit britanik, sa më shpejt që të jetë e mundur, pavarësisht se sa i dhimbshëm mund të jetë ky proces. Çfarëdo vonesë do të zgjasë mos sigurinë e panevojshme. Kemi rregulla për t’u marrë me këtë në një mënyrë të përpiktë.

Jemi të gatshëm të nisim negociatat shumë shpejt me Britaninë e Madhe sa i përket kushteve të daljes së saj nga Bashkimi Evropian. Derisa ky proces i negociatave të përfundojë, Britania e Madhe mbetet anëtare e Bashkimit Evropian, me të gjitha të drejtat dhe obligimet që dalin nga kjo. Në bazë të traktateve të cilat i ka ratifikuar Britania e Madhe, ligji i BE-së vazhdon të aplikohet i plotë për dhe në Britaninë e Madhe deri në momentin kur Britania e Madhe nuk është më anëtare BE-së.

Siç është pajtuar, “Marrëveshja e Re për Britaninë e Madhe brenda Bashkimit Evropian”, e arritur në Këshillin Evropian më 18-19 shkurt të vitit 2016, nuk do të futet në fuqi dhe do të pushojë së ekzistuar.

Nuk do të ketë rinegiciata.

Sa i përket Britanisë së Madhe, ne shpresojmë ta kemi atë partnere të ngushtë të Bashkimit Evropian në të ardhmen. Presim nga Britania e Madhe që t’i formulojë propozimet në ketë aspekt. Çfarëdo marrëveshje, e cila do të arrihet me Britaninë e Madhe si një vend i tretë, duhet të pasqyrojë interesat e të dy palëve dhe të jetë e baraspeshuar në aspektin e të drejtave dhe obligimeve.”