Rregullat e reja të plazhit; ja sa persona do të mund të qëndrojnë në të njëjtin ambient

Aktualitet Botë/Rajon

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi ka shpjeguar rregullat e të bërit plazh në bregdetin shqiptar, në një intervistë për ABCNews.

Në 10 metra katrorë në bregdet do të lejohen të qëndrojnë vetëm 4 persona, pasi do të ketë distancë mes shezlloneve.

Klosi tha se nga data 17 do të hapen restorantet e hoteleve dhe baret e hapur.

“Ka një dakordësi për të rritur distancat e shezlloneve në zonat e plazheve. Duhet të pranojmë se nuk mund të ketë më këtë vit festa të mëdha, grumbullime. Do të jetë shërbim individual. Në 10 m katrorë do të ketë vetëm 4 veta Duhet të pranojmë se nuk jemi si vitin e kaluar. Faktet kanë treguar se masat e hapjes nuk janë bërë si duhet. Ne jemi njerëz që harrojmë pak shpejt dhe kjo mund të na dëmtojë. Nëse në datë 17 hapen baret dhe restorantet e hoteleve, të cilat janë në funksion, mund të fillojë gradualisht hapja”, u shpreh Klosi.
Ministri zbuloi planin e punës me disa operatorë turistikë të disa shteteve që kanë kontrata me Shqipërinë, për të bërë të mundur turizmin përms charterëve me destinacione të përcaktuara dhe kufijve tokësorë.

“Po punojmë me disa shtete që kanë kontrata të gatshme për Shqipërinë, Operatorë turistikë që mund të sjellin turistë të jashtëm. Nëse do ketë një hapësirë për një sistem të ri do fillojmë me avionët charter me destinacione të përcaktuara.  Nuk është biznes që e bën shteti por e kanë ngritur operatorët turistikë. Nuk është një nismë vetëm shqiptare. Nëse do realizojmë hapjen e kufijve tokësorë do kemi mundësi të sjellim turistë nga rajoni pas bregdeti shqiptar do sjellë turistë nga rajoni, pasi transporti ajror mendohet ndër bizneset e fundit që do hapen. Shqipëria ka çmime më të ulëta se rajonit. Synimi është që me pak njerëz të bëjmë biznes. Ne nuk mund të themi se do kemi kufizim të çmimeve”, deklaroi Klosi.
Deri më tani masat e lajmëruara nga ministri Blendi Klosi duken sikur nuk do të zgjidhin problematikat në sektorin e turizmit, i cili është ndër më të goditurit pas situatës me pandeminë e koronavirrusit.

Në masat e marra kreu i qeverisë ka treguar se do të përfitojnë agjencitë turistike që bëjnë pjesë në biznesin e vogël, gjithashtu ka menduar edhe për pagat e punonjësve të restoranteve.

Por e vërteta është që shumë agjenci turistike dhe hotele, janë drejt shpalljes së falimentit. Ata e quajnë këtë vit turistik një sezon për të mbijetuar, me shpresën që të paktën të mbulojnë kostot e punës.

Pas tërmetit operatorët turistikë mund të mos i rezistojnë dot kësaj goditjeje të dytë. Një pjesë e bizneseve mund të mos jenë në gjendje të hapin dyert dhe masat e qeverisë janë pa mjaftueshme, pasi turizmi në këtë periudhë ka nevojë për më shumë vëmendje.