“Mall of Albania”, qendra më e re tregtare në Tiranë

Sociale

edilal

“Mall of Albania” do të jetë qendra më e re tregtare në Shqipëri. E projektuar nga kompania Edil-Al, kjo do të jetë qendra e dytë tregtare më e madhe në vend pas Tirana East Gate. Nga të dhënat e publikuara në faqen e kompanisë së ndërtimit, qendra tregtare në Kashar do të ketë një sipërfaqe prej 69,200 metra katrorë dhe do të përfshijë jo vetëm dyqanet, por edhe magazina, hotel, restorante dhe zyra pune.

Capture1

Megjithëse aksi Tiranë-Durrës është i mbingopur me njësi tregtare dhe gjithashtu me dy qendra të mëdha siç janë QTU dhe City Park, kompania arsyeton se një projekt i tillë që përfshin hapësira shumë-dimensionale i mungojnë Shqipërisë. “Një projekt i tillë mungon në biznesin shqiptar, duke filluar nga dyqanet e veshjeve në dyqane ushqimore, të cilat për ruajtje kërkojnë kushte të caktuara. Deri më tani ndërtimi i magazinave ka qenë shumë spontan dhe ka sjellë ruajtjen jo të mirë të produkteve. Këto probleme kanë krijuar shpesh prishjen e produkteve që u ofrohen konsumatorëve si dhe humbje për bizneset”, shkruhet në përshkrimin e projektit.

Capture2

Faza e parë e punimeve pritet që të nisë në muajin shtator të vitit 2018 në një sipërfaqe trualli që arrin 13,6 hektarë tokë. Mjediset do të jepen me qera, por edhe do të shiten, ndërsa administrimi do të bëhet nga vetë kompania. Nëpërmjet këtij projekti, synohet që të zgjidhet edhe problemi i magazinave me standarde për të ruajtur në mënyrë optimale mallrat dhe produktet ushqimore.