Gati për punët e Vitit të Ri, me këto 4 këshilla do të shpëtoni nga rrëmuja dhe shpenzimet e kota

Kuriozitete

Na ndajnë vetëm pak ditë nga festa e Vitit të Ri dhe ashtu siç e kërkon tradita, e vendosur qëkurse keni lindur prej mamasë dhe gjysheve, 2020 nuk mund të hyjë i mbarë nëse nuk pastroni cep më cep shtëpinë.  Eh pra vajza dhe zonja të dashura, le t’i japim mirëseardhjen asaj periudhe të vitit kur shtëpia i ngjan më shumë një depoje ku gjen çdo gjë që nga karriget e kthyera përmbys e deri tek shtupat e gazetave për të larë dritaret. Mirëpo kohët kanë ndryshuar dhe duke qenë se një pjesë e mirë e njerëzve janë në punë deri më datë 31, jo të gjithë e kanë luksin t’i lejojnë vetes shumë kohë për t’u marrë me pastrimet. Living ju ndihmon duke ju ardhur në ndihmë me disa këshilla shumë praktike, të shpejta dhe që s’do t’ju marrin për shumë kohë.

1- BËNI XHAMAT DHE PASQYRAT DRITË ME RAKI DHE UTHULL MOLLE: Në një shishe në trajtë sprucatori shtoni dy lugë gjelle raki, uthull molle sipas dëshirës dhe 1 litër ujë të ftohtë. Më pas lani pasqyrat dhe çdo sipërfaqe qelqi në shtëpinë tuaj. Mjafton të kaloni një napë pambuku sipër dhe do të duket sikur pluhuri dhe njollat nuk ekzistonin më parë.

2- KTHEJUNI SHKËLQIMIN E HUMBUR LUGËVE, PIRUNJVE DHE THIKAVE ME SODË BUKE DHE KRIPË: Fillimisht duhet të vishni pjesën e brendshme të tenxheres  me letër alumini. Hidhni disa litra ujë sipas dëshirës dhe nevojës. Për çdo litër ujë shtoni 2 lugë gjelle kripë dhe 1 lugë gjelle sodë buke .Vini tenxheren në zjarr dhe lëreni të vlojë. Më pas shtoni setet e thikave, pirunëve dhe lugëve. Nxirrni me kujdes objektet nga uji i nxehtë dhe fshijini me leckë pambuku.

3- SODA E BUKWS BËN MREKULLI PËR DIVANËT: Me kalimin e kohës, divanët dëmtohen dhe njollosen në disa vende. Nëse është bërë prej pëlhure, është e rëndësishme t’i kushtoni vëmendje të madhe kur e pastroni, sepse nëse përdorni produkte të papërshtatshme, pëlhura mund të dëmtohet dhe të humbasë pamjen e saj origjinale. Përzieni 1 lugë sodë, 1\3 e gotës me uthull, pak ujë të nxehtë, 1 lugë detergjent të lëngshëm dhe me të fërkoni njollat e vështira. Vepron në mënyrë perfekte për të zhdukur papastërtitë nga tapiceria.

4- HIDROSANITARET DO TË DUKEN SI TË REJA NËSE I PASTRONI ME UTHULL RRUSHI DHE MOLLE: Uthulla e bardhë e rrushit dhe soda e bukës për shembull, nuk duhet të mungojnë kurrë jo vetëm në hapësirën e kuzhinës, por tashmë edhe në banjë, pasi dizinfektojnë pajisjet hidrosanitare duke filluar nga wc-ja, vaska, kabina e dushit, deri tek dritaret dhe rubinetët që kanë gjithmonë shenja uji.

Për të pastruar tualetin mjafton që të derdhni në gjithë sipërfaqen e tij 1 filxhan uthull rrushi dhe 2 lugë gjelle sodë buke. Lërini të veprojnë për 15-20 minuta, më pas fërkojeni me furçë dhe lajeni me ujë të bollshëm.

Për t’i rikthyer pastërtinë dhe shkëlqimin vaskës mjafton të shtoni në një enë 1 gotë uthull të bardhë rrushi dhe 2 lugë sodë buke. Treteni masën në një kovë ose legen me ujë dhe pastroni gjithë sipërfaqen e saj me ndihmën e një sfungjeri.

Shenjat e ujit dhe smërçi në rubinetin e lavamanit janë vërtetë të bezdishme. Zgjidhja është fare e thjeshtë, krijoni një solucion larës me uthull të bardhë rrushi, sodë buke dhe kripë të bardhë. Hidheni në një shishe bosh në trajtë sprucatori. Fërkoni rubinetin me të dhe lëreni të veprojë për një orë. Në fund fshijeni me leckë pambuku. Do të habiteni nga rezultati.