“Një editorial mode i jashtëzakonshëm” Vlerësimet më të larta për kopertinën e veshjet e krijuara nga stilistët e ADC-së

Showbiz

Kur thua LIVING ke thënë personazhe, editoriale mode, bukuri, stil, festë, ëmbëlsira, krijimtari, truke, ide dekori, receta etj…

Numri festiv sapo ka dalë në treg dhe si gjithmonë, asgjë nga ato çka përmendëm më lartë e jo vetëm, nuk mungon në 236 faqet e revistës pionere të mirëqenies dhe mënyrës së jetuarit bukur.

Në kopertinën e këtij numri është Jonida Maliqi, artistja që njihet për stilin e saj, një model për botën e modës. Jo rastësisht Jonida  qëndroi për dhjetë javë në jurinë profesioniste të të parit talent show shqiptar për modën, “Albanian Designers Competition”- it, prodhuar dhe transmetuar në platformën “Tring”.

Në një intervistë ekskluzive për Elona Jaçellari, artistja ka rrëfyer përvojën e saj në këtë spektakël, festat e saj, ka dhënë një mesazh kuptimplotë e ka ndarë jo pak detaje lidhur me jetën e saj. Para objektivit të aparatit fotografik të Edvina Metës, Jonida ka pozuar si një fotomodele e vërtetë, POR nëse veshjet janë ato që ju mbetën në mendje, na vjen keq t’ju themi që nuk janë në shitje në asnjë dyqan të kryeqytetit. Si rrallë herë, veshjet për editorialin e modës janë realizuar nga stilistët e ADC-së.

Ardi Asllani, mentori i stilistëve të rinj, shprehet gjithashtu mëse i lumtur dhe krenar që këta të fundit kanë krijuar një editorial mode të jashtëzakonshëm!

Në javën e gjashtë të konkurrimit , 6 stilistët e rinj u vunë para një sprove me shumë përgjegjësi, por që do të ishte një mundësi e artë për ta. Të frymëzuar nga Jonida, ata do të krijonin copëza unike veshjesh për ikonën e modës, e cila i mban veshur në këtë set fotografik.

Ndonëse vetëm njëri prej tyre do të arrinte që veshjen e tij/saj ta nxirrte në kopertinën e revistës Living, të gjitha veshjet do të bëheshin pjesë e editorialit në brendësi të Revistës.

Labentina ishte fituesja me fustanin WE ARE UNIQUE e cila për revistën Living do të shprehej:

“Ideja për të realizuar këtë veshje-pikturë me trupin e femrës është një kauzë për të pranuar veten dhe trupin e çdo gruaje ashtu siç është, – shprehet krijuesja e këtij fustani, stilistja nga Kosova Labentinë Shala. – Duhet të zhduken të gjitha standardet e bukurisë dhe çdo trup të pranohet siç është. Trupi që unë kam pikturuar, është një trup me përmasa ideale, por ai ka për të mbetur vetëm një vizatim, siç është edhe iluzioni për të bukurën. Përtej kësaj, ai mund të vishet nga çdokush dhe as që do ta marrim vesh se ç’forma ka, sepse prerja është e çrregullt. Pra, nuk është nevoja të puthitet pas trupit. Pikërisht këtu qëndron kontradikta: një formë që nuk tregon asnjë formë trupi. Mbrapa fustani ka të shkruar një thënie, ku gjithë konceptin e nxjerr me dy fjalë dhe një hashtag: Ëe are unique (ne jemi unike)”.