Si ndryshoi jeta e Eva Muratit pas Champions-it, përse prindërit donin ta mbanin sa më larg televizionit

Showbiz

eva murati

Eva Murati konsiderohet si moderatorja më “IN” e momentit në medien shqiptare. Më 14 shkurt ajo pati takimin e parë me “Studio Champions League”. Ishte një dashuri para miliona syve, me një adrenalinë që ajo nuk kishte menduar ta merrte kurrë në një “fushë” si ajo e sportit. Champions League ka bërë një katarsis në jetën e saj, për shumëçka

Eva Murati është vetëm 21 vjeç, por ka aq angazhime sa nuk i mjaftojnë 24 orë: dita e saj nis në Fakultetin e Drejtësisë, vazhdon në një studio grimi për shërbimin fotografik si imazhi i një kompanie produktesh kozmetike, duhet të jetë gati për një intervistë televizive, një ndalesë e shpejtë për drake (jo gjithmonë ia del të shkojë në shtëpi), audicion për një rol kinematografik dhe deri para pak kohësh “Studio Champions League”, ishte stacioni i fundit – dashuria e re e axhendës së saj ditore. Moderatorja e këtij programi sportiv di vetëm të jetë e para, ashtu siç mban edhe emrin e gruas së parë në Tokë, por, ndryshe nga ajo, Eva jonë nuk tundohet lehtë: ajo punon shumë për të arritur atë që do. Edhe pse bukuria e saj do të mjaftonte që të ishte e përzgjedhura e producentëve, studentja e shkëlqyer nuk ndalet, por vrapon në çdo audicion për të krijuar hapësira të reja profesionale. “Unë jap 100 për qind nga vetja në gjithçka që marr përsipër”, – na thotë Eva. E ndoshta pikërisht për këtë, Eva Murati u përzgjodh të ishte nw kopertinwn e “Living” në pranverë duke u shënjuar si personazhi me moshën më të re për momentin.

“Nuk e kam parë veten në emisione sportive, pasi mendoja se sporti ishte larg profilit që kam krijuar gjatë këtyre viteve, ndoshta edhe për shkak se nuk e njihja mirë atë fushë. Ndoshta kam pasur frikë, nuk doja të isha shpatull, nuk doja vetëm të buzëqeshja dhe të thosha “publicitet”. Megjithatë më duhet të pranoj se pas emisionit të parë, ky perceptim ndryshoi plotësisht. Unë zgjodha të ofroja modelin tim. Më shumë sesa programet, unë zgjedh njerëzit me të cilët punoj. Stafi i ‘Studio Champions League’ më dha gjithë besimin e duhur se do ta bëja më së miri këtë gjë. Jagert Dyrmishi, drejtori i kanaleve sportive në Tring dhe kolegu Andi Nuraj, nuk më thanë çfarë të thosha apo se si të sillesha, por më përfshinë në pasionin e tyre për futbollin dhe më motivuan të pozicionohesha duke i dhënë hapësirë dhe peshë fjalës sime. Gjithashtu, kolegu im, Andi, më bëri të ndihesha e barabartë me të në prezantim. Nuk e prisja të njihja në televizion një njeri aq të mirë, profesionist të vërtetë, i cili aq natyrshëm më dha nga siguria dhe mirësia e tij.
Një lojë futbolli mund të të mësojë një filozofi jete. Eva perfeksioniste, që kujdeset për gjithçka deri në detaje, hoqi dorë nga planet afatgjata që kur u bë pjesë e “Studio Champions League”.
“Nuk jam natyrë që jeton çastin pa e vrarë mendjen. Thënia “Carpe Diem” nuk ka qenë pjesë e mënyrës sime të jetesës. Megjithatë, si në lojë, edhe në jetë, gjërat do të shkojnë ashtu siç është shkruar të shkojnë, pavarësisht sa përpiqem t’i mbaj në kontroll unë. Champions më bëri të kuptoja se gjërat duhen marrë ashtu si vijnë, pa shumë stres e drama. Ashtu si ndodh që kur humbet skuadra e zemrës, mërzitesh pak, por të kalon.” Edhe pse Eva Murati është rritur në botën e spektakleve e ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes, nuk e kishte menduar ndonjëherë se admiruesit e futbollit do të bëheshin edhe admiruesit e saj. Komentet pozitive dhe urimet për të në rrjetet sociale të Tring dhe Vizion Plus kanë qenë të panumërta, aq sa edhe vetë ajo është befasuar. “Champions girl”, siç është pagëzuar ajo së fundmi, merr ftesa nga studiot më të rëndësishme televizive dhe ndjekësit e saj në rrjetet sociale janë shumëfishuar. Ajo është e vetëdijshme për rëndësinë e këtij çasti, sytë janë drejt saj, prandaj në profilin e saj në Facebook e Instagram, me anë të fotografive ajo sjell në kujtesë edhe projekte të mëparshme, të cilat janë të shumta në modeling, television e kinematografi. “Kur dritat e projektorëve u drejtuan mbi mua për herë të parë, ndjesia që përjetova, më bëri të kuptoja se kjo ishte gjëja që dëshiroja t’i përkushtohesha.”
Suksesi kërkon kohë dhe përkushtim, kësisoj, edhe pse në moshën kur shumë bashkëmoshatare të sajat kanë shumë kohë të lirë, Eva nuk ka kohë të pijë kafe, përveçse kur ato janë për punë. Që kur ishte 17 vjeç, sapo binte zilja e orës së fundit të mësimit, duhej të nxitonte për në “Agon Channel” për programet që moderonte atje: “Antilope”, “Duartrokitje”, “Dita e shtatë”. Deri dy javë përpara se Eva të bashkëprezantonte me Andi Nurajn emisionin “Studio Champions League”, ajo ishte moderator dhe gazetare e emisionit “Vip Zone”, që transmetohej çdo të diel në Vizion Pus. Po në ekranin e Vizion Plus, Eva ka prezantuar edhe natën gala të “Miss Universe”, “Duke pritur Miss Universe” etj.
Ashtu siç shkëlqen në ekran sot, Eva dikur ka shkëlqyer edhe në olimpiada matematike. Prandaj
prindërit e saj, babai kirurg dhe nëna inxhiniere, nuk kanë dashur që ajo t’i kushtohej televizionit. “Për prindërit e mi, librat kishin shumë rëndësi. Nuk më mbështetën, por as nuk më penguan në rrugën që kam zgjedhur sot, por besoj se e kam justifikuar besimin e tyre. Kam sakrifikuar orët e gjumit, kohën e argëtimit, por ia dola”.
Nga Brunilda Lahe | Fotografia: Armand Habazaj | Fashion-editor: Stela Plaka | Grimi & flokët: Mirela Halilaj