Abidal konfirmon bisedimet për kontratën e re të Lionel Messi-t

Sport

Lionel Messi është në bisedime për rinovimin e kontratës me Barcelonën. Kjo gjë është konfirmuar zyrtarisht nga ana e drejtorit sportiv të klubin spanjoll, Eric Abidal. Në një intervistë të dhënë së fundmi për ‘Mundo Deportivo’, Abidal ka pranuar se Barcelona është gjithnjë gati për të rinovuar kontratën e kapitenit të skuadrës dhe për këtë arsye, palët janë duke biseduar për zgjidhjen më të mirë për të dyja palët.
“Mund të konfirmoj që po mbahen bisedime me përfaqësuesit e Messi-t për kontratën e tij të re. Nuk e di se kur do të ketë një marrëveshje finale, por klubi shpreson që kjo gjë të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur. Në momentin e duhur do të zyrtarizohet gjithçka, por jam optimist se kjo do të ndodhë shpejt.”


Muajin e kaluar u shënuan plot 15 vite që Messi është pjesë e skuadrës së Barcelonës, në momentin që bëri debutimin e tij në moshën 17-vjeçare. Prej atëhere, argjentinasi ka shënuar më shumë se 600 gola në 698 paraqitje me skuadrën katalanase, duke fituar plot 34 trofe. Mes tyre llogariten 10 kampionate spanjollë, 4 trofe të ‘UEFA Champions League’ dhe 6 ‘Kupa Mbreti’. Që nga viti 2005, Messi e ka rinovuar plot 8 herë kontratën e tij me Barcelonën, ku në nëntor të 2017-ës, u bë lojtari më i paguar në ‘La Liga’ me një pagë prej plot 580 mijë eurosh në javë. Edhe pse tashmë në moshën 32-vjeçare, argjentinasi vazhdon të jetë shtylla kryesore e kampionëve në fuqi të Spanjës. Kjo u provua edhe në këtë fillim sezoni, kur Messi qëndronte jashtë fushe i dëmtuar dhe Barcelona bëri nisjen më të keqe të sezonit në 25 vite.