Alberto Puig flet për bashkëpunimin e vëllezërve Marquez tek Honda

Sport

Një nga gjërat më interesante të sezonit të ri të ‘MotoGP’ do të jetë padyshim rivaliteti mes dy vëllezërve Marquez, që do të garojnë së bashku për kampionët e Hondas. Marc Marquez është tashmë një emër i konfirmuar dhe ndoshta një legjendë e gjallë e këtij sporti, por pritshmëritë janë të mëdha edhe tek vëllai i tij më i vogël, Alex, i cili në sezonin e shkuar u shpall kampion i ‘Moto2’ me disa paraqitje të jashtëzakonshme. Nëse Alex do t’ja dalë mbanë të përshtatet si duhet me motorin Honda, atëherë me gjasa dy vëllezërit do të kenë mundësinë të rivalizojnë mes tyre gjatë sezonit të ardhshëm.

Në lidhje me këtë çështje ka folur edhe shefi i Hondas në ‘MotoGP’, Alberto Puig. Numri 1 i skuadrës kampione u shpreh se për Marc Marquez, është diçka e mirë që vëllai i tij do të jetë edhe shok skuadre me të tek Honda. Sipas Puig, nëse Alex do të vendoste të garonte për një skuadër tjetër në ‘MotoGP’, atëherë Marc Marquez mund të shpërqëndrohej jo pak gjatë sezonit. Puig beson se fakti që të dy pilotët janë pjesë e së njëjtës skuadër, ndihmon në përmirësimin më tej të tyre, ndonëse ekziston një mundësi e mirë që ata të jenë njëkohësisht edhe rivalë për fitimin e garave. Por gjithësesi, as Marc dhe as Alex nuk kanë ndërmend të shtyjnë duelet e mundshme me njëri-tjetrin drejt limiteve dhe kjo gjë, i ‘shkon përshtat’ jo vetëm dy pilotëve në fjalë, por edhe skuadrës së Hondas. Alberto Puig siguroi se tek Honda po punohet në maksimum që Alex Marquez të ketë kushtet e duhura për të punuar gjatë këtij sezoni, që gjithësesi e sheh si një debutues në ‘MotoGP’, teksa Marc Marquez, e ka bërë të qartë se synon të arrijë sërish tek titulli kampion, për të shkruar një tjetër faqe të historisë së këtij sporti.