Allegri tregon se çfarë i duhet Juventusit për t’u konsideruar skuadër pretendente për titullin

Sport

Në prag të ndeshjes së radhës në kampionat, ndaj Genoas në transfertë, duel që do të luhet ditën e Premte dhe është i vlefshëm për javën e 16 të Serie A, edhe një herë tjetër, në konferencën për shtyp, trajneri i Juvenetusit, Massimiliano Allegri nuk i ka shpëtuar dot pyetjes për çështjen e titullit kampion.

Juventusi renditet në vendin e dytë me 36 pikë, vetëm 2 më pak sesa kryesuesit e Interit, çka do të thotë se edhe bardhezinjtë, mund të cilësohen pretendentë për t’u kurorëzuar kampionë të Italisë.

Megjithatë, nëse të tjerët mendojnë kështu, nuk është i këtij mendimi trajneri Allegri, i cili vazhdon të shprehet se skudra e vetme për të fituar titullin në Itali, mund të konsiderohet Interi, sepse sipas tij, Juventusi ka nevojë për të përmbushur disa cilësi të tjera, në mënyërë që të konsiderohet gati për t’u quajtur si pretendente për titullin kampion.

“Interi është favoriti kryesor për të fituar titullin, sepse ata janë ndërtuar për një objektiv të tillë. Madje këtë e kanë shprehur publikisht, duke filluar nga presidenti Zhang. Ndërsa situata e Juventusit është ndryshe. Ne kemi lojtarë që po bëjnë mirë dhe unë jam i lumtur, por rruga jonë është ende e gjatë. Duhet të tregohemi të vëmendshëm, sepse kampionati është si një udhëtim. Për këtë arsye na duhet ekuilibër, qetësi dhe aftësi për të menaxhuar momentet e vështira”, ka deklaruar Allegri për këtë temë.

Githashtu, Allegri ka thënë se objektivi kryesor i Juventusit është të rikthehet të luajë në Champions League, megjithëse edhe këtë vit duhet të ishte pjesëmarrës në kompeticionin më të rëndësishëm kontinental të klubeve.

Më tej, Juventusi është një prej skudrave të pakta, jo vetëm në Itali, por edhe në Europë, që shumë ndeshje i ka fituar me rezultatin 1-0. Për këtë çështje, Allegri e ka dhënë gjithashtu një përgjigje.

“Rezultati perfekt do të ishte që të fitonim gjithmonë 3-0, sepse edhe unë do të vuaja më pak. Por, më e rëndësishme se gjithçka tjetër në këtë sport, është marrja e 3 pikëve”, ka mbyllur tekniku livornez.