Botërori/ Në Katar janë shënuar vetëm 58% e penalltive

Sport

Të shënosh nga pika e bardhë e penalltisë nuk është gjithmonë aq e lehtë sa duket. Më mirë se kudo tjetër, një gjë e tillë po vërehet në Botërorin e Katarit. Të paktën deri në këtë fazë, kur jemi në prag të nisjes së çerekfinaleve, nga gjithësej 31 penallti, janë shënuar vetëm 18, ose 58% e tyre. Nëse bëjmë një krahasim me Botërorin e 2018-tës, shifra është 13% më e ulët, pasi 4 vite më parë, saktësia nga distanca e 11 metrave ishte 71%. Duke u nisur që nga viti 1966, e deri në 2018-tën, mesatarja e pritjeve të penalltive nga portierët ishte 17%, kurse këtë vit ka arritur një masë deri në 35%.

Mirëpo, përse po ndodh ky fenomen? Trajneri i Spanjës, Luis Enrique, në konferencat e tij të mëparshme është shprehur se penalltitë nuk mund të jenë kurrësesi fat, por ato janë një aftësi e veçantë, që perfeksionohet vetëm duke u praktikuar. Më herët, ai i kishte caktuar skuadrës së tij një detyrë shtëpië, që përpara çdo Botërori, të praktikonte 1000 penallti, në mënyrë që kur të gjendeshin përpara një momenti të tillë, Spanja të mos e diskutonte fitoren.

Mirëpo, në ndeshjen ndaj Marokut nuk ndodhi kështu. Iberikët u mposhtën nga pika e bardhë, madje duke mos shënuar dot asnjë gol. Atëherë, këtu dalim në konkluzionin që praktika nuk të bën gjithmonë perfekt. Pra, përveç punës dhe praktikës, në të tilla evenimente, një rëndësi shumë të madhe ka edhe presioni që bie mbi lojtarët, dhe që prek negativisht aspektin psikologjik të tyre. Fërshëllimat e tifozëve kundërshtarë, apo presioni që lojtari ka mbi shpinë fatin e përfaqësueses së tij, nuk ndikojnë vetën në radhët e futbollistëve pa eksperiencë. Në Botërorin e Katarit, kemi parë që të gabojnë nga pika e bardhë, lojtarë si Lionel Messi, apo edhe Robert Leëandoëski.

Sipas ekspertëve, momenti vendimtar në ekzekutimin e një penalltie është 10, deri në 15 sekonda përpara se të gjuhet topi. Lojtari duhet të mos shpërqendrohet nga lëvizjet e portierit dhe po ashtu nuk duhet të nxitohet në momentin kur dëgjon fërshëllimën e arbitrit.