Antonio Conte kërkon të bastisë sërish në Serinë A

Sport

Pasi siguroi 2 lojtarë nga kampionati italian në merkaton e janarit, sikurse Bentancur dhe Kulusevski, Antonio Conte kërkon të bastisë sërish në Serinë A. Këtë herë synon një mbrojtës të Interit, të cilin e njeh mjaft mirë dhe fjala është për Alessandro Bastonin, duke qenë se e ka trajnuar për dy vite kur ishte në krye të pankinës së zikaltërve.

Në më pak se një vit më parë, Bastoni rinovoi kontratën me kampionët e Italisë deri në vitin 2024, mirëpo emri i tij është pjesë e listës së përforcimeve të Tottenham për edicionin e ardhshëm futbollistik. Antonio Conte kërkon një lojtar me kualitet për qendrën e majtë të mbrojtjes dhe tekniku në fjalë është i mendimit se Bastoni plotëson kriteret e nevojshme për atë rol. Shtatlarti italian është vetëm 22 vjeç dhe aktualisht në tregun e merkatos, kartoni i tij vlen 60 mln euro. Për këtë arsye, shitja e tij nga Interi, përkthehet në buxhet të kënaqshëm në arkat e klubit. Për më tepër, që një lëvizje e tillë mund t’i hapte rrugë edhe afrimit të Gleison Bremer nga Torino, lojtar, të cilin Interi e kërkon prej kohësh.

Ndërkohë, ofertë konkrete nga Tottenham për Bastonin nuk ka, por Antonio Conte e ka kthyer atë në prioritetin kryesor për t’u përforcuar në prapavijë përgjatë verës të këtij viti.