Napoli gjen zëvendësuesin e Lorenzo Insigne

Sport

Kapiteni do largohet nga të kaltërit pas një periudhe 10 vjeçare, teksa ka firmosur një marrëveshje me Toronton. Megjithatë, klubi italian tashmë ka gati pasardhësin e Insignes. Fjala është për Khvicha Kvaratskhelia. Gjeorgjani ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të klubit napoletan, të cilët kanë mbërritur në përfundimin se ky djalosh është përforcimi I duhur për të mbuluar rolin e Insignes.

Madje, palët kanë përparuar mjaft në bisedimet mes tyre. Sikurse raportojnë mediat italiane, anësori i majtë do nënshkruajë një kontratë 5 vjeçare me Napolin, aty ku do përfitojë rreth 1.5 mln euro në sezon.

Në fakt, historia e Khvicha Kvaratskhelia është mjaft interesante. Aktualisht, ky futbollist ka një kontratë deri në vitin 2024 me Rubin Kazanin, por e ndërpreu aventurën me skuadrën ruse në fund të muajit mars, prej urdhërit të dhënë nga Fifa, ku çdo lojtar i huaj duhet të largohej nga skuadrat ruse.  Për këtë arsye, Kvaratskhelia u bashkua me gjeorgjanët e Dinamo Batumi, aty ku është i huazuar deri në fund të sezonit. Me përfundimin e këtij edicioni futbollistik, pritet të bëhen më të qarta detajet e transferimit të 21 vjeçarit në radhët e Napolit.