Interi konkretizon ofertën për Marcus Thuram

Sport

Interi përparon bisedimet me Marcus Thuram. Zikaltërit janë të vendosur që në verën e 2023-shit ta transferojnë sulmuesin në radhët e tyre dhe për këtë arsye janë gati të formalizojnë ofertën e tyre. Sipas informacioneve që vijnë nga mediat përtej detit, Interi ka gati një kontratë 5 vjeçare për lojtarin francez, me 5 mln euro në sezon.

Lojtari në fjalë, i cili që prej verës së 2015-tës është pjesë e Borussia Monchengladbach, ka vetëm edhe 6 muaj të vlefshme nga kontrata e tij me klubin gjerman. Kjo do të thotë se në verë ai do të jetë një futbollist i lirë dhe Interi mund t’i sigurojë shërbimet e 25 vjeçarit me parametra zero.

Në kushte të tilla, lojtari ka të drejtë që të nisë negociatat me një tjetër klub që në afatin kalimtar të janarit. Për këtë arsye, ditët e ardhshme do jenë tepër vendimtare mbi nënkampionin e botës, i cili do vendosë përfundimisht se në cilin klub do luajë që prej edicionit tjetër në vijimësi.

Thuram ishte në kontakt me Interin edhe përgjatë vitit të kaluar, por atëherë marrëveshja nuk arriti të kompletohej me sukses, sepse atëherë lojtari pësoi një dëmtim të rëndë. Tashmë që Interi e ka formalizuar ofertën dhe situata duket më konkrete, duket sikur “topi” ka mbetur në duart e Thuram. I takon atij nëse do e pranojë ose jo propozimin e klubit zikaltër.