Neymar si Cristiano Ronaldo, nën akuzë për përdhunim

Sport

Pas Cristiano Ronaldos, edhe një tjetër futbollist mjaft i njohur duket se do ketë telashe të mëdha me ligjin sa i përket akuzave për përdhunim. Neymar gjendet aktualisht në Brazil, në grumbullimin e kombëtares së tij dhe më 31 maj, në Sao Paulo, në polici është hapur një dosje ku ylli i PSG akuzohet për marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj një gruaje braziliane të cilën e ka njohur në Paris. Por nuk ka vonuar reagimi i vetë futbollistit me anë të një videoje që më pas u fshi. Neymar thoshte se e kupton qartësisht se çfarë rëndësie marrin lajme të tilla ku në mes përfshihet emri i tij dhe shtoi se i vjen keq që ka njerëz që përpiqen ‘të hedhin baltë’ mbi familjen dhe emrin e tij. Për këtë aryse, Neymar tha se do të publikojë çdo bisedë që ai ka bërë me gruan në fjalë, e cila sipas tij i kishte kërkuar fillimisht një dhuratë nga Neymar për djalin e saj, dhe më pas ka kërkuar edhe gjëra të tjera. Lojtari i PSG thotë se mbetet i qetë dhe se do të bashkëpunojë me organet kompetente për të treguar të vërtetën përpara tifozëve të tij. Reagim më të ashpër ka patur babai i Neymar, që zbuloi se djalit të tij i është bërë presion edhe më parë për këtë çështje dhe se këto janë vetëm mënyra se si njerëzit kërkojnë të përfitojnë para prej tij. Por lajmi se Neymar është nën akuzë për një vepër të tillë ka sjellë edhe reagimin e sponsorave të brazilianit, me kompaninë ‘Nike’ që u shpreh se do të ndjekë nga afër situatën dhe nëse akuzat vërtetohem, atëherë Neymar do t’i ndërpritet çdo kontratë sponsorizimi.