Bayern Munich kërkon me çdo kusht Kai Havertz të Leverkusen

Sport

Ashtu siç ishte premtuar nga drejtuesit e klubit, Bayern vazhdon të punojë intensivisht në merkato për përforcimet e sezonit të ardhshëm dhe tashmë duekt se sytë janë tek një prej talenteve vendas. Kampionët e Gjermanisë duket se kanë nisur sulmin e tyre për të arritur tek Kai Havertz, 19-vjeçari që ka mahnitur me paraqitjet e tij me Bayer Leverkusen. Havertz ishte një pikë kyçe e skuadrës së ‘aspirinave’ në arritjen e objektivit ‘Champions League’ dhe numëron 20 gola e 7 asiste në 42 paraqitje në të gjitha kompeticionet. Për mesfushorin thuhet se janë të interesuara shumë skuadra, por Bayern ka arritur të fitojë përparësi sa i përket nënshkrimit me Havertz. Sipas mediave gjermane, oferta konkrete e kampionëve të Gjermanisë ka qenë 90 milionë euro. Por tek Leverkusen nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga 19-vjeçari për më pak se 100 milionë euro. Kërkesat e Leverkusen janë rritur duke parë që për kartonin e Havertz mund të hapet një ankand, pasi veç Bayern, për të interesohen edhe Real Madrid, Manchester City apo PSG. Duke qenë se James Rodriguez, i cili ishte i huazuar, nuk do të blihet nga Bayern, atëherë, drejtuesit bavarezë duken të detyruar të nënshkruajnë me një mesfushor dhe Havertz është profili i duhur për filozofinë e Bayern Munich.