Atalanta dhe Milan ndahen në barazim, fitore bindëse e Napolit

Sport

Atalanta-Milan ishte një ndeshje që dhuroi emocione përgjatë gjithë 90 minutëshit, por në fund nuk pati asnjë fitues. Takimi i luajtur në Bergamo, i vlefshëm për javën e dytë të Serie A, u mbyll me shifrat 1-1. Në fakt, ishin vendasit ata që kaluan të parët në avantazh me anë të Malinovskit në minutën e 29-të.

Kampionët Italisë u kundërpërgjigjën vetëm në pjesën e dytë. Goli i kuqezinjve u realizua nga Bennacer në minutën e 68-të. Pas këtij momenti, pavarësisht përpjekjeve nga të dyja ekipet, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fërshëllimën e fundit.

Përgjatë vitit 2022, Milani është skuadra që ka fituar më shumë pikë në Serie A kur e ka nisur ndeshje në disavantazh, plot 14-të.

Pas përfundimit, trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli është shprehur i kënaqur me ekipin e tij, ndërsa për të marrë fitoren, është dashur vetëm pak punë më tepër. Nga ana tjetër, Gasperini ka cituar se barazimi ishte rezultati më i drejtë i kësaj sfide.

Më tej, Napoli fiton bindshëm në shtëpi ndaj Monzas. Djemtë e drejtuar nga Luçiano Spalletti triumfuan me rezultatin 4-0 në stadiumin Diego Armando Maradona. Golat u shënuan nga Khvicha Kvaratskhelia, i cili koleksionoi një dopietë, Osimhen dhe mbrojtësin Min Jae Kim.

Sa i përket gjeorgjanit Kvaratskhelia, sulmuesi i krahut ka arritur të bëjë menjëherë diferencën me Napolin. Që nga viti 2010-të, 21 vjeçari është vetëm lojtari i 4 i Napolit që shënon në të dyja ndeshjet e para me të kaltërit.