Bakaj-gol i pandalshëm, shënon sërish në Kupat e Evropës

Sport

elis

Elis Bakaj vazhdon të shënojë për bjellorusët e Shakhter Soligorsk, madje edhe kur bëhet fjalë për Kupat e Evropës. Duke treguar në këtë mënyrë se klubi ka bërë mirë që e ka afruar sulmuesin shqiptar në skuadër. Ish-lojtari i Partizanit, Tiranës dhe Kukësit po gjen rregullisht rrugën e rrjetës, si në kampionat, ashtu edhe në Ligën e Europës. Aq sa është një nga kontribuesit kryesor në sukseset e deritanishme që po korr klubi bjellorus, gjatë këtij fillimi të sezonit. Bakaj ka realizuar edhe në barazimi 1-1 që fiksoi skuadra së tij ndaj Leh Poznan, në turin e dytë të Ligës së Europës. E në këtë mënyrë u ka dhënë bjellorusëve një shtysë të rëndësishme, sa i takon sfidës së kthimit. Ishte një gol spektakolar, nga ata që di të shënojë vetëm sulmuesi shqiptar.

bakaj

Diagonalja e lëshuar prej tij nuk u kontrollua nga ana e portierit kundërshtar, duke përfunduar në rrjetë. Teksa ishte një gol që rrëmbeu edhe duartrokitjet e tifozerisë së Shakhter. Bëhej fjalë për realizimin e tretë në po aq ndeshje të luajtura nga Bakaj, në këtë edicion të Ligës së Europës, pasi kishte realizuar edhe në dy takimet e mëparshme ndaj Konah’s Kuej. Mirëpo, shto këtu edhe golin e shënuar kundër Dinamo Brest në kampionat, kjo ishte ndeshja e katërt radhazi në të cilën Bakaj gjente rrugën e rrjetës. Ndërkohë që duket se në këtë fillim sezoni është vërtet mjaft i frymëzuar dhe një armë plus për Shakhter.