Barcelona klubi më i pasur në botë, e ndjekin Real Madrid dhe Manchester United

Sport

‘Me shumë se një klub’, ky është slogani që përdorin tek Barcelona prej disa sezonesh dhe me të vërtetë që ekipi katalanas është më shumë se thjesht një klub futbolli. Barcelona mund të konsiderohet tashmë edhe si biznesi më i mirë në këtë sport, pasi në raportin e fundit, ata listohen të parët, si klubi më i pasur në botë. ‘Deloitte’ ka publikuar studimin vjetor e klubeve që kanë arkëtuar më shumë gjatë sezonit të kaluar dhe Barcelona është klubi i parë në futboll që kalon barrierën e 800 milionë eurove sa i përket të ardhurave. Sipas këtij raporti, gjatë 2018-2019-ës, ‘blaugranat’ gjeneruan plot 840,8 milionë euro, duke lënë në vendin e dytë rivalët e Real Madrid me 757,3 milionë euro.

Podiumi në këtë aspekt plotësohet nga Manchester United, me 711,5 milionë të arkëtime nga sezoni i shkuar. Në vendin e katërt gjendet gjigandët bavarezë të Bayern Munich, teksa ndjekin PSG dhe Manchester City. Vetëm vendi i shtatë për kampionët e Europës, Liverpool, që gjeneruan në sezonin 2018-2019 pothuajse 605 milionë euro. Renditja vijon me dy skuadrat londineze, Tottenham dhe Chelsea, ndërsa 10-shja e parë plotësohet me Juventusin. Bardhezinjtë kanë arkëtuar pothuajse 460 milionë euro, duke u listuar sërish si klubi më i pasur i ‘Serie A’. Në llogaritjet e bëra nga ‘Deloitte’, janë marrë parasysh fitimet që kanë marrë klubet nga sponsorët dhe mënyrat e tjera komerciale, fitimet e arkëtuara nga kompeticionet e ndryshme ku kanë luajtur dhe arkëtimet nga shitja e të drejtave televizive.

Kampionët në fuqi të Spanjës kanë arritur të sigurojnë plot 298 milionë euro nga të drejtat televizive, 383,5 milionë nga sponsorët dhe reklamat, çfarë përbëjnë 46% të shumës në total dhe 129,2 milionë euro nga kompeticionet ku ka marrë pjesë. Ajo që vlen të theksohet është se tek klubet angleze vijon të ketë një ndikim të madh shitja e të drejtave televizive. Rasti i kampionëve të Europës, Liverpool e tregon qartë diçka të tillë. ‘The Reds’ kanë arkëtuar thuajse 300 milionë euro nga e drejta televizive, çfarë përkthehet në thuajse gjysmën e të ardhurave vjetore në total të klubit.