Tottenham arrin akordin për transferimin e Gedson Fernandes nga Benfica

Sport

Ndonëse deri para pak kohësh flitej se ishte shumë pranë transferimit tek Lyon në Francë, Gedson Fernandes ka ndryshuar destinacion. Mesfushori i talentuar i Benfikës do të jetë një lojtar i Tottenham, me këta të fundit që kanë nxituar për të gjetur një marrëveshje për 21-vjeçarin. Klubi londinez ishte vënë prej kohësh në kërkim të një mesfushori, për t’i paraprirë edhe largimit të mundshëm të Christian Eriksen. Trajneri Mourinho ka dhënë pëlqimin e tij për talentin e Benfikës, i cili siç zbulojnë mediat angleze i ka kaluar të gjitha vizitat mjekësore tek nënkampionët e Europës. Ai do të transferohet nga Benfika si huazim për 18 muaj, me klubin anglez që ka të drejtë të blejë përfundimisht kartonin e Gedson Fernandes për shifrën e 65 milionë eurove.

Për mesfushorin portugez kanë qenë të shumta skuadrat që janë interesuar. Për këtë arsye, lojtari pati kërkuar largimin nga Benfika, që nga ana tjetër ka si qëllim të përfitojë sa më shumë nga shitja e lojtarëve të saj. Gedson Fernandes është formuar në akademinë e kampionëve të Portugalisë, ku i ka kaluar të gjitha etapat e skuadrave të moshave deri sa në sezonin e kaluar, arriti të shënonte edhe gol me fanellën e Benfikës në ‘Champions League’, duke bërë që interesi për të, të rritej edhe më shumë. Por mediat angleze shkojnë më tej duke thënë se Tottenham interesohet edhe për një tjetër lojtar të talentuar të Benfikës. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Ruben Dias, i cili shihet si njeriu i duhur për të zëvendësuar Vertonghen apo Alderweireld, të cilët kanë shprehur më herët dëshirën për t’u larguar nga ‘Spurs’-at.