Barcelona, mes lotësh, Mascherano përshëndetet me skuadrën, largohet për në Kinë

Sport

Javier Mascherano

Pas rreth 8 vitesh kontribute me fanellën e Barcelonës, Javier Mascherano i tha lamtumirë katalanasve duke përqafuar përvojën e re të Hebei China-Fortune në Lindjen e Largët. Në një organizim të veçantë të marrë përsipër nga drejtuesit e klubit, Mascherano u përlot teksa të gjithë lojtarët shfaqën mbështetjen e tyre për zgjedhjen e 33-vjecarit. Përmes një videoje prej rreth 6 minutash, e gjithë organika blaugrana e falenderoi për gjithcka Mascherano dha në Kamp Nou. Pique, Busquets, Rakitic e me radhë deri te Suarez dhe Messi, i thanë 33-vjecarit edhe njëherë ato çka i patën thënë gjithmonë, se ai mbetet një lojtar i jashtëzakonshëm për historinë e 10 viteve të fundit në Barcelonë. Organizimi u drejtua nga vetë Presidenti i Klubit Josep Maria Bartomeu i cili e vlerësoi gjithashtu për kontributin Mascheranon. “Isha me fat që rreth 7 vite e gjysmë më parë erdha këtu dhe bëra realitet ëndrrën time. Por tanimë është koha që të zgjohem, ëndrra mbaroi, zgjati më shumë se sa e imagjinoja dhe të largohem me kaq shumë dashuri dhe mbështetje përreth është më e mira e mundshme e cfarëdolloj gjëje që dikush mund të kërkojë” – tha Mascherano ndërsa përlotej në një sallë totalisht të mbushur dhe ku spikatnin edhe me praninë e tyre kapiteni Iniesta dhe trajneri Ernesto Valverde. Argjentinasi largohet me 18 trofe të fituar në këto vite. Ai luajti 334 ndeshje dhe së fundmi e pati humbur vendin në formacion. Me synimin për të luatjur botërorin e fundit ai pranoi kalimin te China-Fortune, që pagoi 6 milionë euro për shërbimet e tij.