Barcelona zyrtarizon një lojtar me parametra zero

Sport

Barcelona zyrtarizon mbrojtësin e qendrës, Inigo Martinez nga Athletic Bilbao me parametra zero. Një product i Real Sociedad, 32 vjeçari i dha fund aventurës prej 5 sezonesh në radhët e klubit bask, ndërsa me atë katalanas ka firmosur një kontratë 2 vjeçare. Barcelona i ka marrë masat mirë që futbollisti të jetë i sigurt në “Camp Nou”, e për këtë arsye, i ka vendosur një klauzolë largimi prej 400 milionë eurosh.

Nënshkrimi me një element të tillë, i jep mundësinë trajnerit Xavi Hernandez që të përshtatë rreshtime të ndryshme në prapavijë, sepse padyshim që Martinez pritet t’i shtojë më tepër kualitet mbrojtjes së Barcelonës.

Gjatë gjithë karrierës së tij, Inigo ka luajtur vetëm në Spanjë. Ai numëron 357 ndeshje të luajtura vetëm në La Liga, teksa është gjithashtu një lojtar që ka një raport të mirë edhe me golin. Ndonëse një mbrojtës, shtatlarti i prapavijës e ka tundur rrjetën plot 22 herë.

Në fjalët e tij të para si një lojtar i skuadrës katalanase, Martinez nuk i ka fshehur emocionet që është bërë pjesë e një klubi të madh. Për këtë arsye, ai u ka premtuar tifozëve se do të japë më të mirën në fushën e lojës.

Më tej, duke qenë se nënshkrimi me mbrojtësin e qendrës ishte me parametra zero, një lëvizje e tillë, i jep mundësi Barcelonës që të shohë për të tjera përforcime në merkato.