Bayerni kualifikohet në çerekfinale të Champions League, tjetër dështim për PSG

Sport

Bayern Munich kualifikohet në çerekfinale të UEFA Champions League. Në 1/8-tat, bavarezët eliminuan PSG, në atë që konsiderohej si një finale e parakohshme e kompeticionit. Pas triumfit 1-0 në tokën franceze, ekipi gjerman, fitoi edhe në shtëpi, por këtë herë me rezultatin 2-0.

Pas një pjese të parë me rrjeta të praprekura, episode më të rëndësishme të sfidës ndodhën në pjesën e dytë. Në të 61-tën, Choupo-Moting ndëshkoi ish-skuadrën e tij, ndërsa në të 89-tën, Gnabry realizoi të radhës për ekipin bavarez.

Në këtë mënyrë, Bayerni është kualifkuar për herë të 21 në çerekfinale të Champions League, më tepër sesa çdo klub tjetër në historinë e kompeticionit. Këtë edicion futbollistik, gjigantët gjermanë kanë qenë të jashtëzakonshëm edhe në prapavijë. Në 8 ndeshje të luajtura në Champions, ata kanë pësuar vetëm dy gola, që ndryshe përkthehet si mbrojtja më e fortë e kompeticionit.

Në 4 ndeshjet e fundit në Champions, Bayerni nuk ka pësuar gol, duke barazuar kësisoj ecurinë më të mirë të klubit në histori në një turne të tillë. Me suksesin ndaj Parisit, Bayerni tashmë sapo ka hedhur themelet si një skuadër pretendente për të marrë fronin e kontinentit.

Nga ana tjetër, Parisi I mbushur me yje dhe milionat e shpenzuara ndër vite, sërish nuk mjaftojnë për të triumfuar në Champions League. Në 5 nga 7 edicionet e fundit, ekipi francez është eliminuar që në fazën e 1/8-tave, të paktën dy herë më tepër sesa çdo kundërshtar tjetër përgjatë kësaj kohe.

Me këtë dështim të radhës, në verën e këtij viti, në kampin parizien mund të ketë një revolucion të skuadrës. Madje, kjo mund të ndodhë, duke nisur që nga shkarkimi I trajnerit Christophe Galtier.