Dëmtimet e Mbappe dhe Cavani rikthejnë PSG në merkato

Sport

Problemet fizike të Kylian Mbappe dhe Edinson Cavani kanë shqetësuar jo pak trajnerin e PSG, Thomas Tuchel, që sipas raportimeve në Francë, i ka kërkuar drejtuesve t’i rikthehen merkatos në hyrje. Neymar nuk ka ndërmend të luajë sërish me fanellën e kampionëve të Francës dhe alternativat në sulm janë të pakta pas dëmtimit të dyshes Mbappe-Cavani. Veç Paulo Dybalas, që është parë si zëvendësuesi i Neymar, tashmë tek PSG po punojnë për afrimin edhe të një sulmuesi tjetër të Juventus. Mario Mandzukic është një nga emrat në largim tek bardhezinjtë dhe pas dështimit të tratativave për kalimin e kroatit tek Manchester United apo Bayern Munich, sulmuesi mund ta shohë veten në Paris gjatë sezonit të ri.

Megjithatë, vetë Mandzukic duket se preferon të qëndrojë në Torino dhe kur kanë mbetur edhe shumë pak kohë nga mbyllja e merkatos, tratativat mbeten të komplikuara. Por tek PSG kanë rikthyer interesin edhe për mesfushorin e Tottenham, Christian Eriksen. Danezi ka lajmëruar prej kohësh se kërkon të nisë një aventurë të re dhe për të mposhtur konkurencën e Real Madrid dhe Juventus, PSG është gati të ofrojë rreth 58 milionë euro. Por sipas asaj që raportohet në mediat franceze, Leonardo po shqyrton edhe mundësinë e transferimit të Eriksen gjatë muajit janar, atëherë kur lojtari mund të afrohet për një shifër shumë më të ulët, pasi mesfushorit danez i skadon kontrata në qershorin e 2020-ës.

Soccer Football – Ligue 1 – Paris St Germain v Dijon – Parc des Princes, Paris, France – May 18, 2019 Paris St Germain’s Kylian Mbappe in action REUTERS/Philippe Wojazer