Berisha pëson frakturë, rrezikon 1 muaj pushim

Sport

Fati i keq për Etrit Berishën. Portieri i Spalit dhe Kombëtares shqiptare, ka pësuar një dëmtim në dorën e djathtë, si pasojë e një përplasjeje të fortë të ndodhur gjatë seancës stërvitore. Ndërsa analizat instrumentale që ka kryer ai, kanë evidentuar një frakturë. Megjithatë, sipas një komunikate të nxjerrë nga klubi i SPAL-it, portieri do të kryejë analiza të tjera më të specializuara, për të mësuar trajtimin që duhet të marrë dhe periudhën e pushimit që do t’i nevojitet. E sigurtë është që nuk do të jetë në sfidën e së mërkurës ndaj Kaljarit dhe atë të 28 qershorit kundër Napolit të Hysajt.

Etrit Berisha është një nga portierët më në formë në Serie A, duke qenë një forcë e madhe për SPAL në luftën për të qëndruar në Serie A. Ja që me shumë mundësi, ai do të jetë i detyruar të mos japë kontributin për gati një muaj për shkak të këtij dëmtimi. Gardiani kuqezi nuk do të jetë pjesë e skuadrës së tij në rinisjen e Serie A dhe do i duhet të punojë gjatë për riaftësim sa më të shpejtë. Faktikisht mediat italiane aludojnë për rreth katër javë mungesë, megjithëse nuk dihet ende me siguri sesa do të duhet të mungojë. Shpresohet që Berisha ta kalojë sa më shpejt këtë problem dhe të jetë i gatshëm të ndihmojë Spalin në mbylljen të këtij sezoni të pazakontë, ku synon të realizojë misionin e mbijetesës në Serinë A, që për momentin duket gati i pamundur.