Cfarë do të ndodhë në sfidat e së mërkurës?

Sport

Mësohen sonte tri ekipet e fundit që do të sigurojnë aksesin në grupet e Champions League, e njëkohësisht edhe çekun prej 15.5 milionë eurosh që jep UEFA për cdo pjesëmarrëse në këtë fazë. Në pamundësi për të hyrë nga porta kryesore, Ajaks duhet të përmbushë sonte misionin jo të lehtë për t’u bërë pjesë e elitës së 32 skuadrave më të mira të futbollit evropian. Pas ecurisë së jashtëzakonshme gjatë edicionit të kaluar, tashmë “Harkëtarët” gjenden 90 minuta larg fazës së grupeve. Gjithcka do të nisë sikur ndeshja e parë e luajtur në Nikozi të mos jetë luajtur fare, përderisa u mbyll me rrjeta të paprekura. Gjithsesi, kampionët e Holandës pa Marzauin e pezulluar dhe Van De beek të dëmtuar, kanë detyrën për të shfrytëzuar faktorin fushë, përderisa këtë sfidë vendimtare e luajnë pikërisht në “Johan Krujf Arena” të Amsterdamit.

Në Bryzh, skuadra vendëse duhet të di të administrojnë avantazhin prej 1 goli që realizoi të martën e kaluar, në fushën e Lask Linz. Nënkampionët e Belgjikës synojnë të mbyllin me sukses ecurinë e nisur që në turin e tretë eleminator, kur eleminuan Dinamon e Kievit. Nga ana tjetër, austriakët luajnë për të bërë surprizën, në mënyrë që prekin për herë të parë grupet e kompeticionit më prestigjoz të futbollit kontinental. Ndërkohë që pas 12 vjetësh dëshiron të provojë të masë forcat në arenën më të rëndësishme evropiane edhe Slavia e Pragës. Cekët nisen nga goli i shënuar përpara një jave në transfertë kundër Kluzhit. E tashmë duan të kurorëzojnë një sezon të fundit “historik”, ku veç titullit kampion, fituan edhe Kupën. Kurse objektivi i rumunëve është të shkaktojnë viktimimën e radhës, që do të shijojë edhe më shumë, pas eleminimit të Astanas, Maccabi Tel Aviv dhe Selltik.