Champions – Lazio i thotë lamtumirë Ligës së Kampionëve

Sport

hi-res-Preview crop north 1
Ëndrra e Lazios për t’u kualifikuar në Champions League përfundoi të mërkurën mbrëma me Bayer Leverkusenin që arriti të fitonte pastër 3-0. Italianët vinin pas një fitore të ngushtë 1-0 në Olimpico, por nuk arritën dot ta mbronin në BayArena. Lazio kishte shanset e para kur në një rrëmujë në zonën e gjermanëve Keita dhe Felipe Anderson nuk arritën ta dërgonin topin në rrjetë pasi Bernd Leno u tregua shumë i zoti t’i mbyllte të gjitha hapësirat. Pas këtij rasti Lazio e pa veten e tëra në mbrojtje me Bayer Leverkusenin që i gjente kollaj hapësirat. Kështu punë të dyfishtë kishte Etrit Berisha, i cili gjatë gjithë ndeshjes u vu goxha në vështirësi. Në fillim ishte Calhanoglu e më pas Kiessling që iu afruan më rrëzikshëm portës, por do të ishte turku ai i cili do të zhbllokonte rezultatin 5 minuta përpara përfundimit të pjesës së parë. Lazio që ka shumë probleme në mbrojtje dhe me po të tilla probleme e nis edhe pjesën e dytë kur Admir Mehmedi gjendet i pamarkuar në zonën e rreptësisë dhe shënon një super-gol. Sikur të mos mjaftonte rezultati 2-0, Lazio humbet edhe një lojtar, pas daljes me karton të kuq të brazilianit Mauricio. 20 minuta më vonë erdhi edhe goli i kapitullimit. Pas një gafe në mesfushë, Berisha sheh përballë tij dy lojtarë dhe pavarësisht përpjekjeve të tij, Bellarabi shënoi në portën e zbrazur. Minutat në vazhdim më pas ishin thjeshtë formalitet me Lazion që tashmë do t’i kalojë Europa League-ës.