Champions League/ Liverpool shkatërrohet nga Napoli, fiton edhe Ajax

Sport

Liverpool nuk i kishte bërë nisjen më të mirë të mundshme sezonit, mirëpo pak kush mund ta mendonte se Napoli do e shkatërronte skuadrën angleze në Champions League që në takimin debutues. Në sfidën e parë të Grupit A, të kaltërit i pritën të kuqtë në stadiumin Diego Maradona, duke dhuruar një spekatkël të vërtetë futbolli.

Djemtë e drejtuar nga Luçiano Spalleti arritën të fitonin me rezultatin 4-1, duke e dominuar takimin që prej fillimit, e deri në fund. Në minutën e 5-të, Zielinski kaloi vendasit në avantazh, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë. Më tej, në të 18-tën, Osimhen, edhe një herë tjetër nga penalltia, shpërdoroi mundësinë për të dyfishuar shifrat. Gjithësesi një gjë e tillë nuk vonoi shumë, sepse në minutën e 31, Anguissa e kaloi topin pas krahëve të portierit Alisson. Ndërsa në të 44-tën, Giovani Simeone shënoi të 3-tin për të zotët e shtëpisë.

Me rikthimin në fushë në pjesën e dytë, Napoli e nisi me një tjetër gol. Në të 47-tën, Zielinski realizoi të 4-tin dhe të dytin personal. Ndërkohë, vetëm 120 sekonda pas këtij momenti, Liverpool reagoi, duke shënuar me Luis Diaz. Mirëpo, pas këtij momenti, ekipi anglez u tregua i pafuqishëm për të realizuar sërish.

Për të kuptuar sa e rëndë ishte kjo disfatë për Liverpoolin, mjafton të përmendim këtu që klubi nga Merseyside, bëhet  ekipi i parë anglez që nga sezoni 2003/04 që pëson humbjen më të rëndë në ndeshjen hapëse të Champions League. Për herë të fundit kishte ndodhur me Arsenalin, kur u mposht 3-0 nga Interi 19 edicione më parë.

Po ashtu, kjo është vetëm hera e 4 në historinë e Liverpool që pëson 3 gola vetëm në pjesën e parë, ndërsa në krahun tjetër, Napoli shënoi 3 gola në pjesën e parë për herë të dytë në këtë kompeticion. Më herë, ia kishte dalë ta bënte një gjë të tillë në 2019-tën ndaj Genk.

Sa i përket sfidës tjetër të Grupit A, Ajax mposhti 4-0 skuadrën e Rangers në shtëpi. Hollandezët realizuan 3 herë në harkun kohor të 33 minutave, me anë të Alvarez, Berghuis dhe Kudus. Më pas, në të 80-tën, ishte radha e Bergëijn që ta shënonte edhe të 4-tin për të zotët e shtëpisë.

Sa i përket sfidave të javës së ardhshme në këtë grup, Liverpool pret në shtëpi Ajax, kurse Napoli viziton skocezët e Rangers në Ibrox Stadium.