Chelsea mund të ndërpresë përpara kohe kontratën e Aubameyang

Sport

Pierre Emerick Aubameyang e ka humbur prej kohësh vendin e titullarit në skuadrën e Chelsea, mirëpo një veprim i ditëve të fundit nga ana e sulmuesit, mund ta bëjë klubin londinez që të ndërpresë përpara kohe kontratën me 33 vjeçarin.

Pas fitores 2-1 të Barcelonës në El Clasico përballë Real Madrid, gabonezi është parë në dhomat e zhveshjes së klubit katalanas, duke festuar bashkë me pjesën tjetër të ekipit. Në edicionin që lamë pas, Aubameyang ishte pjesë e Barcelonës, e mesa duket, sulmuesi vijon t’i ruajë marrëdhëniet me ish-skuadrën e tij.

Mirëpo një gjë e tillë nuk i ka pëlqyer aspak klubit të Chelsea, që një veprim si ky e ka konsideruar shumë të tepëruar dhe të pavend. Në rrethana si këto, Blutë po mendojnë dhe po shqyrtojnë mundësinë që të ndërpresin një vit përpara kohe kontratën e Aubameyang, marrëveshja aktuale e të cilit përfundon në verën e 2024-tës.

Thënë ndryshe, aventura e lojtarit në fjalë në “Stamford Bridge” mund të konsiderohet e përfunduar. Sipas raportimeve, sulmuesi është i gatshëm të rikthehet edhe një herë tjetër në Barcelonë, e madje këtë ta bëjë, duke pranuar edhe një ulje të ndjeshme të pagës. Të tjera zhvillime priten në vijim për këtë çështje.