NBA, Butler udhëheq Miami-n; Heat fitojnë ndeshjen e parë në Boston

Sport

Miami Heat kanë bërë surprizën në ndeshjen e parë të serisë së finaleve të ‘Konferencës së Lindjes’, duke mposhtur Boston Celtics në ‘TD Garden’ me rezultatin 123-116. Njësoj si në serinë ndaj Milwaukee Bucks në raundin e parë, Miami nuk vjen si favoritë në përballjen me Celtics, mirëpo me një Jimmy Butler të karikuar, skuadra e Heat është e gatshme të sfidojë këdo e kudo. Përpara tifozëve të tyre, Jayson Tatum e Jaylen Brown i dhanë një avantazh të lehtë skuadrës së tyre deri në fundin e pjesës së parë. Por Miami nuk e kishte thënë ende fjalën e fundit dhe në periodën e tretë arritën përmbysjen, pasi në ato 12 minuta, regjistruan një rezultat 46-25 në favorin e tyre. Në periodën e katërt, trajneri Spoelstra bëri disa ndryshime në fazën mbrojtëse, ndërkohë që Butler vazhdonte të merrte përsipër gjuajtjet më të rëndësishme. Një 3 pikësh nga një distancë e konsiderueshme bëri diferencën dhe Miami merr në këtë mënyrë avantazhin e kësaj serie. Butler ishte shëneusi me i mirë në parket me 35 pikë, por ishte i rëndësishëm edhe me 5 ribaunde e 7 asiste. Bam Adebayo shënoi 20 pikë, kurse emra si Kyle Lowry, Max Strus, Caleb Martin Jr apo Gabe Vincent, shënuan secili nga 15 pikë, duke shfaqur vazhdimësi për Miami-n. Në anën tjetër, Tatum ishte shënuesi më i mirë me 30 pikë, ndërkohë që Brown u ndal në 22 pikë, 9 ribaunde e 5 asiste. Ndeshje të mirë bëri edhe Marcus Smart, me 13 pikë e 11 asiste, por që vlejnë vetëm për statistikat personale të lojtarit. Edhe ndeshja e dytë e kësaj serie do të luhet në ‘TD Garden’, me Celtics që tani e shohin si detyrim arritjen tek triumfi.