Serie A, Lazio, Luis Alberto vendos për të ardhmen pas fundit të sezonit

Sport

E ardhmja e Luis Alberto-s tek Lazio nuk është e sigurt. Fantazisti spanjoll thuhet se po i shqyrton me kujdes alternativat që ka për sezonin e ardhshëm, teksa një rikthim në Spanjë duket si lëvizja më e mundshme për të. Edhe pse ka fituar besimin e pakufizuar të trajnerit Maurizio Sarri, Luis Alberto dhe Lazio ende nuk kanë një akord për të vijuar bashkëpunimin përtej 2025-ës. Spanjolli ka kërkuar disa herë largimin nga skuadra kryeqytetase, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, për shkak se Lazio nuk ka marrë ofertën e kërkuar për kartonin e fantazistit. Kjo ka bërë që marrëdhënia mes përfaqësuesve të lojtarit dhe presidentit Lotito të jetë e tensionuar, sepse 30-vjeçarit nuk i është plotësuar as kërkesa për një rritje të pagës. Cadiz dhe Sevilla kanë shfaqur interes konkret për shërbimet e Luis Alberto-s dhe mediat spanjolle janë të sigurta kur thonë se në adresë të Lazio-s, gjatë verës do të vijnë propozimet në rrugë zyrtare. Alberto është i gatshëm t’i thotë ‘po’ një aventure të re në Spanjë, edhe pse nuk e ka fshehur dëshirën për të mbetur në Itali, tek një nga skuadrat kryesore. Gjithësesi, për të vendosur të ardhmen e Luis Alberto-s, duhet pritur fillimisht mbyllja e sezonit aktual. Kjo, për shkak se Lazio mund të ndryshojë qëndrim ndaj lojtarit. Edhe Milinkovic-Savic përflitet shumë për një largim nga skuadra, për shkak të interesit të lartë që ka në merkato. Nëse diçka e tillë ndodh, atëherë Lazio do të ketë mundësinë financiare për të përmirësuar ndjeshëm pagën e Luis Alberto-s, çfarë mund ta bindë lojtarin të vijojë aventurën në Romë.