Chelsea nuk heq dorë nga lojtari i Juventusit

Sport

Pavarësisht 1 miliard eurove të shpenzuara në harkun kohor të një viti në merkato, Chelsea ende ka nevojë për të tjerë lojtarë në mënyrë që skuadra të jetë sa më e plotësuar. Sikurse bëjnë me dije mediat ndërkombëtare, Blutë e Londrës kanë nevojë për një sulmues qendre, kështu që i janë kthyer edhe një herë një objektivi të mëparshëm.

Fjala është për Dusan Vlahoviç, i cili i ka bërë një nisje të shkëlqyer sezonit me skuadrën e Juventusit, teksa numëron 4 gola dhe një asist në 4 javët e para të Serie A.

Nga këto statistika janë tërhequr sërish drejtuesit e Chelsea, që kanë nisur të përpilojnë një propozim në drejtim të Juventusit. Sipas raportimeve të huaja, në Janar, Chelsea do të trokasë me një ofertë 60 milionë euroshe në dyert e Zonjës së Vjetër.

Kontrata aktuale e Vlahoviç me klubin bardhezi është e vlefshme deri në verën e 2026-tës, por forma e mirë momentale e lojtarit, i ka bërë drejtuesit e Juventusit që të përgatisin një rinovim të marrëveshjes me lojtarin 23 vjeçar.

Nëse diçka e tillë bëhet realitet brenda një periudhe afatshkurtër, atëherë kjo do të bëjë që në Janar, kartoni i Vlahoviç të kushtojë edhe më shumë. Për momentin, sipas Transfermarkt, serbi vlen 70 milionë euro, rreth 15 milionë euro më pak sesa një vit më parë.

Megjithatë, duke parë shpenzimet marramendëse të Chelsea përgjatë kohëve të fundit, atëherë, aspekti financiar nuk pritet të jetë ndonjë problem mjaft i madh për Blutë e Londrës, ndonëse gjithçka mbetet për t’u parë se ç’do të ndodhë në vazhdimësi.