MotoGP, Bagnaia është kampioni i ri; në Valencia festa është për Ducati-n

Sport

Francesco Bagnaia është kampioni i botës në ‘MotoGP’ për vitin 2022. Piloti italian ia doli t’i rezistonte të gjithë presionit që kishte mbi vete në garën e fundit në Valencia, për të mposhtur Quartararo-n e për të arritur një sukses historik, jo vetëm për karrierën e tij, por edhe për markën Ducati. Edhe pse bëri një nisje mjaft të mirë të garës, ‘Peco’ filloi të shfaqte probleme me ritmin e tij. Italiani ishte në dijeni se i nevojiteshin vetëm 2 pikë nga kjo garë, për ta bërë të pavlefshëm triumfin e mundshëm të rivalit të tij, që nuk po ia dilte dot të mbërrinte tek pilotët e kreut. Alex Rins me Suzukin bëri një garë perfekte, duke i dhënë lamtumirën ashtu si duhej markës japoneze, që nuk do të jetë më pjesë e ‘MotoGP’. Podiumi ndërkohë u plotësua nga Brda Binder me ‘KTM’ dhe Jorge Martin me ‘Ducati Pramac’. Quartararo nuk shkoi dot më larg se vendi i katërt, ndërkohë që Bagnaia po shfaqte tension në xhirot e fundit. Pas tij do të viheshin dy pilotë të tjerë me Ducati, Luca Marini dhe shoku i tij i ardhshëm i skuadrës, Enea Bastianini. Bagnaia nuk donte t’i hapte vetes telashe dhe i lejoi të dy të kalonin, për ta mbyllur në vendin e nëntë. Italiani e cilësoi atë në Valencia si garën më të dobët të sezonit dhe ndoshta të të gjithë karrierës, por ai ishte i vetdijshëm se gara e vërtetë e tij ishte me motorin Ducati. ‘Peco’ ia doli mbanë. Për herë të parë që nga koha e Casey Stoner, Ducati mund të festojë një titull kampion. Bagnaia është i pari italian që shpallet kampion bote në kategorinë më të rëndësishme të këtyre garave me një motor italian, që nga koha e Giacomo Agostini-t, i cili nga 1966-a deri në 1972-shin, dominonte me motorin Agusta. Bangaia e mbyll sezonin me 265 pikë të grumbulluara, ku arriti 7 fitore dhe 10 podiume. Ndërsa Quartararo tani zbret si ‘nënkampion’, me 248 pikë, me 5 triumfe në 20 gara të zhvilluara përgjatë 2022-shit.