Cikalleshi nuk ndalet në gola, Sadiku nuk kënaqet

Sport

Nuk është ndalur vetëm te dy golat dhe forma që tregoi në sulmin e kombëtaren shqiptare. Sokol Cikalleshi ka rigjetur rrugën e rrjetës edhe me klubin e tij që merr pjesë në kategorinë e dytë turke, Akhisar. Konkretisht, në ndeshjen e tij të parë në këtë sezon të cilën e nisi si titullar, sulmuesi kavajas shënoi golin e vetëm që i dha fitoren 0-1 Akhisarit në transfertën ndaj Menemenespor. Pikërisht ishte minuta e 85-të, kur Cikalleshi shndërroi në gol një penallti duke mposhtur bashkëkombasin e tij Gentjan Selmani, ish-portierin e Lacit, i cili prej këtij sezoni luan te Menemenspori. Kaq mjaftoi që kavajasi t’i japë 3 pikët skuadrës së tij. Ndërkohë që në fund i ka dhënë edhe darkën Selmanit, sic ka konfirmuar një foto e hedhur në rrjetet sociale.


Gjithashtu në ligën e dytë, por atë spanjolle, gjeti rrugën e rrjetës gjatë fundjavës edhe Armando Sadiku. Që në aktivizimin e tij të dytë me Malagan, elbasanasi shënoi gol, megjithëse fatkeqësisht nuk mjaftoi për t’i dhënë fitoren ekipit ku luan, pasi barazoi 1-1 ndaj Mirandes. Mirëpo vetë sulmuesi nuk është dukur i kënaqur, duke kërkuar më shumë nga vetja e tij. Në një intervistë për mediet spanjolle, ai fillimisht ka treguar se do të ishte më i lumtur po të kishte shënuar golin e dytë dhe Malaga të kishte fituar. Sadiku ka deklaruar se dëshiron të japë shumë më tepër, edhe sepse ende nuk ka arritur formën e tij maksimale.