Serie-A, Juventusi do t’i jape edhe 40 milionë Bayernit, angazhon përfundimisht Douglas Costan

Sport

dougls

47 ndeshje, 6 gola dhe 14 asiste kanë mjaftuar që Juventusi të vendosë për ta angazhuar përfundimisht brazilianin Douglas Costa. Mbrëmjen e së enjtes bardhezinjtë njoftuan se do të ushtrojnë të drejten e blerjes së shërbimeve të 27-vjecarit. Kështu Bayernit do t’i shkojnë 40 milionë euro duke e rrumbullakosur operacionin e angazhimit të brazilianit për rreth 50 milionë, nëse marrim parasysh edhe pagesën për huazimin që Juventusi bëri 12 korrikun e vitit që shkoi. Costa do të ketë një kontratë me bardhezinjtë deri në vitin 2022 dhe e gjitha është bërë me dije përmes një komunikimi për shtyp.

douglas1

Sportmediaset i kushtoi vëmendje të rëndësishme statistikave të brazilianit, i cili figuron një nga dribluesit më të zotë në Serie-A. Ai e mbylli sezonin me 106 driblime të sakta në 38 javë. Në një statistikë tjetër nga 100 dredhi të synuara me top, ai ka një saktësi prej 68-përqindësh për ta kryer atë, më shumë se kushdo tjetër në Itali. Por kjo nuk është statistika e vetme pozitive për Costan. Ai figuroi i dyti me më shumë shërbime në kampionat, me 12 asiste. Pikërisht talenti, zhdërvjelltësia, dhe aftësia për të krosuar në zonë janë aspektet më të vlerësuara te Juventusi aq sa tanimë t’i japë Douglas Costas një fanellë permanente në skuadër.