Serie A, Napoli, Osimhen i ka thënë ‘po’ Bayern, por De Laurentiis nuk bën pas

Sport

Pas sezonin të jashtëzakonshëm, që kulmoi me titullin në Itali, tek Napoli janë të vetdijshëm se për yjet e skuadrës do të ketë oferta të rëndësishme gjatë kësaj vere. Victor Osimhen ishte golashënuesi më i mirë në ‘Serie A’ për 2022/2023-shin, ndërkohë që emri i tij lakohet nën radarët e disa klubeve me peshë të Europës. Mediat italiane raportojnë se sulmuesi nigerian është shndërruar në objektivin kryesor të Bayern Munich, pasi refuzimit që këta të fundit morën nga Tottenham për Harry Kane. Në Gjermani shkojnë edhe më tej, duke zbuluar se përfaqësuesit e Osimhen kanë gjetur një akord fillestar me drejtuesit e bavarezëve, për një kontratë afatgjatë, me një pagë të kënaqshme. Mirëpo, Bayern duket se e ka të vështirë të gjejë marrëveshje me presidentin e Napolit, Aurelio De Laurentiis, i cili vazhdon të mos bëjë hapa prapa sa i përket pretedimeve të tij për sulmuesin nigerian. Kartoni i Osimhen vlerëoshet nga numri 1 i kampionëve të Italisë në 150 milionë euro dhe mediat italiane shkruajnë se shanset që të ketë ulje të këtij çmimi janë thuajse zero. Nga ana tjetër, Osimhen është mëse i gatshëm ta bëjë realitet kalimin e tij tek Bayern, pasi do të kishte mundësinë të ishte pranë familjes dhe shoqërisë së tij, që jetojnë ende në Gjermani, që nga koha kur lojtari ishte në radhët e Wolfsburg. Për më tepër, tek Bayern do të gjente një skuadër favorite për të triumfuar edhe në ‘Champions League’ në sezonin e ardhshëm.

Bavarezët e shohin Osimhen si një investim afatgjatë, ndryshe nga Harry Kane. Për sulmuesin anglez, Tottenham mori një ofertë zyrtare nga kampionët e Gjermanisë, që konsistonte në 70 milionë euro, pa llogaritur këtu bonuset, mirëpo londinezët e kanë kthyer menjëherë pas këtë propozim. Tek Bayern nuk do të shkojnë më tej, pasi Kane i ka mbetur edhe një vit kontratë me ‘Spurs’-at. Në anën tjetër, Osimhen duket mjaft i përshtatshëm për bavarezët, por njësoj si në rastin e Kane, duhet të kompletojnë një mision të vështirë për të bindur De Laurentiis, të ulë çmimin prej 150 milionë eurosh për sulmuesin nigerian.