Zvicër, Ajeti vazhdon serialin e golave

Sport

Albian Ajeti
Futbollisti nga Kosova, Albian Ajeti vazhdon me gola te skuadra e Baselit, e cila si mysafir shënoi fitore me rezultat 4:2 në ballafaqim me St. Gallenin, në ndeshjen e javës së 33-të të Kampionatit të Zvicrës. Ajeti deri me tash ka shënuar 13 gola dhe është i dyti në listën e shënuesve apo ka një me pak se Hoarau i Young Boys-it nga Bernë. Ajeti u aktivizua në fushën e lojës duke nisur nga minuta e 72-të. Por kaq i mjaftoi që të realizojë në minutën e 88-të golin me të cilin rrumbullakosi shifrat në 4-2. Për skuadrën e Bazelit vijoi të mungojë Taulant Xhaka, i cili është ende i dëmtuar. Ekipi i shqiptarëve mbetet në vend të dytë me 65 pikë dhe prej javësh ka siguruar pjesëmarrjen në Champions League për sezonin e ardhshëm.
Po ashtu si edhe kampionët e Jang Bojsit, që vazhduan të fitojnë falë vetëm një goli edhe në fushën e Sionit të Lenjanit. Anësori shqiptar luajti nga fillimi, por nuk arriti të ndikojë në ecurinë e ndeshjes, duke u zëvendësuar në të 89-n. Kjo humbje nuk e zbret Sionin nga zona e shpëtimit, megjithëse do të duhet të luftojë ende në javët e mbetura për të shmangur vendin e fundit të renditjes. Aty ku gjendet aktualisht Lozana. Ndërkaq, Thuni mposhti me 2-1 Grasshoppersin, në radhët e të cilit lojtari i kombëtares shqiptare, Bujar Lika luajti titullar. Ndërsa shqiptari nga Maqedonia, Nedim Bajrami, qendroi në fushë deri në minutën e 84-t.