Cristiano Ronaldo cakton të ardhmen, do mungojë në Champions League pas 20 vitesh prezencë

Sport

Cristiano Ronaldo ka dhënë sinjale pozitive për tifozët e Manchester United. Në një prononcim për faqen e klubit, 5 herë fituesi i Topit të Artë ka lënë të kuptohet se nuk do largohet nga Old Trafford në fund të këtij sezoni futbollistik.

I pyetur rreth trajnerit të ardhshëm të djajve, Erik Ten Hag, CR7 ka thënë se të gjithë në skuadër janë të kënaqur që do punojnë me një trajner të tillë.

“Si lojtarë dhe tifozë, jemi të gjithë të lumtur të të emocionuar që trajneri jonë do jetë Erik ten Ten Hag. Duhet të besojmë që sezonin e ardhshëm të fillojmë të fitojmë trofe. E di që ai është një trajner me eksperiencë, i cili ka bërë një punë madhështore tek Ajaksi. Këtu duhet t’I japim kohë”, ka cituar ndër të tjera 37 vjeçari.

Janë pikërisht këto fjalë që në njëfarë mënyrë kanë caktuar edhe të ardhmen e Cristiano Ronaldos, që duket se do vazhdojë të jetë me Manchester United.

Duke marrë këtu parasysh faktin që United nuk mundi të kualifikohet dot në Champions League sezonin e ardhshëm, kjo do të thotë se pas 20 edicionesh me radhë, kompeticionit më madhështor të klubeve, do I mungojë golashënuesi më i mirë i historisë.

Së fundi, Cristiano Ronaldo ka fituar çmimin si lojtari më i mirë i muajit prill në Premier League. Një çmim i tillë është i dytë i këtij sezoni për 5 herë fituesin e Topit të Artë, me të parin të fituar në muajin nëntor.

Në total, duke marrë parasysh këtu edhe epokën e parë të CR7 me Manchester United, sulmuesi e ka fituar 6 herë çmimin si lojtari i muajit, duke barazuar legjendën e Liverpool Steven Gerrard. Përpara tij renditen vetëm Sergio Aguero dhe Harry Kane me nga 7 çmime.