Cristiano Ronaldo ka shkuar në kuotën e 53 golave në vitin 2023

Sport

Ndonëse 38 vjeç, për pak 39, Cristiano Ronaldo po tregon se mosha për të është thjesht një numër. Në 56 ndeshje të luajtura, portugezi ka shënuar 53 gola përgjatë vitit 2023. Asnjë futbollist tjetër në botë nuk ka shënuar më tepër sesa kapiteni i Al Nassr brenda këtij viti kalendarik.

Me një statistikë të tillë, Ronaldo ka lënë pas vetes emra si Kylian Mbappe apo Harry Kane, të cilët janë ndalur në kuotën e 52 golave. Pas tyre renditet Erling Haaland me 50 gola.

Mbappe nuk mund të shënojë do më shumë se kaq, për faktin se PSG nuk ka më ndeshje për të luajtur në 2023-shin. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Harr Kane. Thënë këtë, gara për golashënuesin më të mirë të vitit, do të vendoset mes Haaland dhe CR7, që gjithashtu ka edhe një ndeshje tjetër në dispozicion.

Sa i përket situatës së Haaland, norvegjezi ka ende edhe dy ndeshje të tjera për të luajtur me Manchester Cityn, përpara se të mbyllet viti 2023, që do të thotë se gara për vendin e parë mbetet e hapur.

Nga ana tjetër, me një ndeshje në dispozicion në vitin 2023, Ronaldo ka mundësi të shkojë përtej 53 golave.

Në takimin e fundit në kampionat, që Al Nassr luajti përballë Al Ittihad në transfertë, skuadra e Ronaldos arriti të fitonte me rezultatin e thellë 5-2, me CR7 që shënoi dy prej golave në ekipin e tij, duke u treguar i saktë në dy raste nga pika e bardhë e penalltisë.