Tre ndeshjet e ardhshme të Milanit, vendimtare për të ardhmen e trajnerit Stefano Pioli

Sport

Tre ndeshjet e ardhshme të Milanit, do të jenë vendimtare për të ardhmen e trajnerit Stefano Pioli. Sikurse raportojnë mediat italiane, barazimi 2-2 me Salernitanën, ka mërzitur jo pak drejtuesit e klubit, që tanimë, i kanë vendosur ultimatum takticienit kuqezi.

Me fjalë të tjera, takimet me Sassuolon dhe Empolin në kampionat, e gjithashtu edhe sfida me Cagliarin në Kupë, janë mëse të rëndësishme për timonierin 58 vjeçar.

Megjithatë, Pioli duhet të ndihet me fat që ekziston një ultimatum i tillë, sepse nëse do të kishte pasur një tjetër trajner që do të bindte drejtuesit e Milanit dhe do të pranonte detyrën në këtë fazë të sezonit, atëherë Pioli do të ishte shkarkuar në mënyrë të padiskutueshme. Të pakën kështu nënvizohet në mediat më të rëndësishme italiane.

Kur nuk kemi mbërritur ende në gjysmë të këtij edicioni futbollistik, Milani ka dalë jashtë objektivare madhorë, çka do të thotë se është eliminuar nga Champions League dhe konsiderohet jashtë garës për titullin kampion.

Përgjegjësia për një ecuri të tillë ka rënë mbi supet e trajnerit Pioli, i cili tanimë nuk ka shumë kohë në dispozocin për të shpëtuar të ardhmen e tij.

Nëse rezaultatet nuk vijnë dhe Pioli shkarkohet, atëherë Milani do të provojë të emërojë në krye të skuadrës, ish-trajnerin e Interit, Antonio Conte, i cili që prej shkarkimit nga Tottenham, vijon të jetë i papunë. Për të emëruar teknikun në fjalë, Milanit do t’i duhet të bëjë një sakrificë të madhe financiare, përfshirë këtu edhe faktin se duhet të paguajnë deri në fund edhe kontratën e Piolit, që është e vlefshme deri në verën e 2025-tës.

Megjithatë, edhe nëse Pioli nuk shkarkohet përgjatë këtij sezoni, e ardhmja e tij tashmë duket e vendosur. Italiani nuk do të vazhdojë të jetë më trajner i Milanit për sezonin tjetër, me stolin që tashmë duket i rezervuar.