Dëmtimi i Paulo Dybala, ja sa mund të mungojë argjentinasi

Sport

Paulo Dybala mund t’i ketë thënë lamtumirë futbollit për vitin 2022. Ndeshja e së dielës mbrëma ndaj Leçes në Olimpico, e vlefshme për javën e 9-të të Serie A është mbyllur me rezultatin 2-1 në favor të skuadrës së drejtuar nga Jose Mourinho, e cila tanimë është ngjitur në vendin e 5-të ta tabelës së klasifikimit në kuotën e 19 pikëve. Mirëpo kjo mund të konsiderohet nga ato fitore që në fund ka lënë një shije të hidhur.

Pasi në pjesën e parë kishin realizuar Smalling dhe Strefezza, në fillimin e fraksionit të dytë, Paulo Dybala u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Argjentinasi kaloi sërish Romën në epërsi, me rezultatin që do të mbetej i pandryshuar deri në fërshëllimën e fundit.

Leçe është skuadra e vetme në Serie A, që Dybala i ka shënuar në çdo ndeshje të luajtur. 3 gola në 3 takime.

Megjithatë, në momentin kur ka ekzekutuar penalltinë, ylli argjentinas ka pësuar një tërheqje muskulore në kofshën e majtë. Dëmtimi është serioz. Madje, më shumë nga sa mund të mendohej. Sikurse raportojnë mediat përtej detit, Dybala rrezikon të mungojë minimumi një muaj. Mirëpo, frika është më e madhe se kaq. Mëngjarashi mund të mos jetë i gatshëm as për Botërorin e Katarit me përfaqësuesen e Argjentinës.

Pra, me fjalë të tjera, 28 vjeçari mund t’i ketë dhënë fund futbollit të luajtur për vitin 2023. Rikthimi i tij në fushën e blertë, pritet të ndodhë janarin e 2023-shit. Dëmtimi i numrit 21 në “Olimpico” ka lënë një shije të hidhur edhe tek trajner Jose Mourinho, i cili është parë i dëshpëruar në konferencën pas ndeshjes.

Megjithatë, përderisa nuk është përcaktuar ende një diagnozë e qartë, ka ende optimizëm që Dybala të kthehet nga dëmtimi në një kohë më të shpejtë, ndonëse shpresat mund të jenë të pakta.