NBA, Clippers, George thotë se Kawhi është numri 1 në skuadër; ja objektivat e këtij sezoni

Sport

Los Angeles Clippers pritet të jenë një ndër pretendentët e mëdhenj në sezonin e ri të NBA, me kalifornianët që synojnë jo vetëm vendet e para në ‘Konferencën e Perëndimit’, por mendohet se mund të shkojnë deri në ‘Finalet’ e mëdha. Rikthimi i Kawhi Leonard nga dëmtimi është lajmi më i rëndësishëm në radhët e Clippers, me Paul George që do të ketë edhe mbështetjen e John Wall, i ardhur tek skuadra e trajnerit Tyronn Lue gjatë verës. Në një intervistë rreth objektivave për sezonin e ri, Paul Geroge ka folur me elozhe për shokët e tij të skuadrës, ku sigurisht, më gjatë është ndalur tek Kaëhi Leonard. Vetë George e konsideron Leonard si një nga më të mirët në botë dhe nuk e ka problem të thotë se ai është lojtari kryesor i Clippers. George është dakord ta konsiderojë veten e tij si numrin 2 tek kalifornianët, duke treguar se është i vetdijshëm rreth potencialit që ka Kawhi Leonard. Për ish-lojtarin e Indiana Pacers dhe Oklahoma City Thunder, ajo se çfarë ka rëndësi për të është të shtyjnë skuadrën drejt finaleve. George mendon se Clippers i kanë të gjitha mundësitë të bëjnë gjëra të mëdha në këtë sezon të ri të NBA, nëse nuk do të preken sërish nga dëmtimet. Edhe vetë 32-vjeçari është prekur disa herë nga dëmtime serioze, duke lënë në mes sezonin me Clippers. Por tani gjërat duket se po shkojnë në rrugën e duhur për trajnerin Lue, që kërkon të udhëheqë skuadrën kaliforniane drejt finaleve të para në historinë e klubit. Mbërritja e John Wall shihet si një lëvizje me peshë për Clippers, pasi veterani mund të jetë një ndihmë e madhe për dyshen Leonard-George, teksa konkurenca në ‘Konferencën e Perëndimit’ pritet që këtë sezon të jetë akoma më e madhe.