Dëmtimi i Romelu Lukakut, ja sa pritet të mungojë sulmuesi i Interit

Sport

Dëmtimi i Romelu Lukakut ka shkaktuar një situatë tensioni tek Interi. Në seancën stërvitore të fundjavës, sulmuesi i qendrës ka pësuar një tërheqje muskulore në kofshën e majtë dhe tashmë frika është e madhe.

Sidoqoftë, të gjithë janë në pritje të analizave përfundimtare, por sikurse raportojnë mediat përtej Adriatikut, ekziston mundësia që belgu të mbetet jashtë fushave të lojës deri në fund të muajit shtator.

Nëse diçka e tillë konfirmohet, atëherë për trajnerin Simone Inzaghi do ketë dhimbje koke. Përveç sfidës me Cremonesen që luhet në 30 gusht, në shtator, Interi do ketë 3 ndeshje shumë të rëndësishme në kampionat. Si fillim është derbi me Milanin në datën 3. Më pas, janë dy sfida të tjera tepër të rëndësishme, me Torinon në shtëpi dhe Udinesen në transfertë.

Mirëpo nuk mbyllet me kaq. Interi ndodhet në një grup të komplikuar edhe në Champions League, sikurse është Grupi C, aty ku bëjnë pjesë edhe Bayern Munich, Barcelona dhe Viktoria Plzen. Vetëm 4 ditë pas derbit me Milanin, në 7 shtator, zikaltërit nisin aventurën europiane, teksa presin në shtëpi gjigantët e Bayernit.

Sipas të gjitha aludimeve, mungesa e Lukakut duket e sigurt pikërisht në këto dy sfida, ndaj Milanit dhe Bayernit. Nuk ka asnjë dyshim që mungesa e tij është një armë më pak për 19 herë kampionët e Italisë.

Sikur të mos mjaftojë situata e dëmtimit të Lukakut, Interi ka marrë një shuplakë në kampionat, teksa në javën e 3-të, u mposht 3-1 në transfertën e Lazios. Gabimin e transfertës së Olimpicos, të besuarit e Simone Inzaghit do përpiqen ta shlyejnë në shtëpi me Cremonesen.