Dëmtohet një lojtar i rëndësishëm i Bayer Leverkusen

Sport

Bayer Leverkusenit i është dëmtuar një lojtar tejet i rëndësishëm. Fjala është për Victor Boniface, i cili është lënduar përgjatë angazhimit të tij në Kupën e Afrikës me përfaqësuesen nigerianie. 23 vjeçari ka pësuar një tërheqje muskulore në kofshën e djathtë dhe përgjigja e analizave të kryera, nuk ka dalë aspak pozitive.

Sikurse ka njoftuar vetë klubi gjerman, lojtari do të jetë jashtë fushave të lojës, të paktën deri në fillim të muajit Prill. Thënë më ndryshe, mungesa është e konsiderueshme dhe për trajnerin Xabi Alonso, ky mund të konsiderohet një problem.

Në 23 ndeshje të luajtura në total në të gjitha kompeticionet me aspirinat, Boniface është përfshirë gjithësej në 24 gola, 16 finalizime dhe 8 asistime.

Kjo do të thotë se Leverkuseni mund të jetë e detyruar që të ndërhyjë në merkaton e Janarit për të sjellë një tjetër sulmues pranë skuadrës, pasi është mjaft e vështirë që organika aktkuale të mbetet pa një përforcim, duke marrë parasysh vetë objektivat e Leverkusenit, që në fazën e deritanishme, është në vendin e parë në kampionat, është aktive në Kupë, e gjithashtu edhe në Europa League. Kompeticione këtu, që Boniface kishte mundur të shënonte në secilën prej tyre.

Sikurse shkruajnë mediat e huaja, drejtuesit e Lverkusenit kanë nisur nga puna dhe deri në këto çaste, lojtari i preferuar, për të cilin do të tentohet një ofertë, është Borja Iglesias, sulmuesi i Real Betis. Teksa gjithçka mbetet për t’u konfirmuar në vijimësi, statistikisht, spanjolli nuk është për t’u admiruar, sepse përgjatë këtij sezoni, në 18 ndeshje të luajtura në total, ka mundur të shënojë vetëm 2 gola.