Durmishaj, grekët s´durojnë dot: Shqiptarët po na e rrëmbejnë!

Sport

durmishaj

Që gjatë grumbullimeve të muajit mars, në Kombëtaren shqiptare pritet të ketë disa emra të rinj në listën e Kristian Panucci. Përveç argjentinasit Tomas Guidara, i cili duhet të pajiset shumë shpejt me pasaportë shqiptare, përfaqësueses kuqezi për ndeshjet me Turqinë e Andorrën do t’i bashkohet me shumë mundësi edhe talenti Fiorin Durmishaj. Mirëpo sulmuesi, i cili ka shkëlqyer në sezonin e fundit përmes 10 golave në 24 ndeshjeve me fanelën e Panionios, veç FSHF-së është ndjekur me interes edhe nga Federata Greke e Futbollit. Por lojtari i cili në të kaluarën ka veshur fanellën e përfaqësueses Shpresa, duket se ka vendosur që të vazhdoj të përfaqësojë Shqipërinë edhe pse pak kohë më parë mori pasaportën greke dhe luajti për përfaqësuesen e ushtrisë së këtij vendi.

gettyimages 931025056 1024x1024

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar edhe mediat greke, të cilat kanë saktësuar se lojtari i është përgjigjur pozitivisht ftesës së trajnerit të Kombëtares kuqezi, Panucci. Ndërkohë që nuk kanë nguruar ta konsiderojnë edhe si një vjedhje që po u bëhet nga Federata Shqiptare e Futbollit. “Kombëtarja shqiptare po përgatitet të rrëmbejë një tjetër lojtar, pas propozimit të bërë nga Kristian Panuçi”, ka shkruar “Sportime.gr”, e cila ka titulluar tekstualisht “Pas Mihajt, shkon edhe Durmishaj” artikullin që i është kushtuar sulmuesit të Panioniosit. Këtu i referohet faktit se në të kaluarën, edhe për Enea Mihajn, ka pasur një “luftë” në distancë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në atë kohë, pas presionit që i bëri Panucci dhe FSHF, ai zgjodhi të veshë fanelën kuqezi. Tashmë e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me Durmishajn.