Dybala: Privilegj të punoj me Mourinhon

Sport

Paulo Dybala është zyrtarisht një futbollist i Romës. Tashmë ka ardhur e zeza mbi të bardhë dhe argjentinasi është edhe “de facto” edhe “de jure” një lojtar i skuadrës së “ulkonjës”. Pasi nënshkroi kontratën tre vjecare nga e cila do të përfitoj 6 milion euro në sezon, 28 vjecari tha edhe fjalët e tij të para si romanist.

“Ditët që i paraprinë nënshkrimit kanë qënë një përzjerje emocionesh. Shpejtësia dhe vendosmëria me të cilën Roma veproi dhe dëshira që treguan për të më pasur në ekip bën diferencën në zgjedhjen time.  Vij në një skuadër që është në rritje dhe në një klub që kërkon të ndërtoj themele të forta, ndërsa kam privilegjin të kem një trajner si Jose Mourinho. Atmosferën e tifozëve e kam përjetuar si kundërshtar dhe me zor po pres ta përjetoj si lojtar i Romës” – deklaroi ”La Joya”- i cili konferencën e parë zyrtare si “romanist”  do ta mbaj rreth datës 6 Gusht, kurse debutimi me fanellën “verdhekuqe” mund të vij më datë 7 në një miqësore kundër Shakhtar Donetskut në Romë.

Ndërkohë që mjaft i kënaqur ishte edhe drejtori sportiv Pinto i cili e konsideroi Dybalën si një element me kualitet të lartë duke u shprehur i sigurt se afrimi i tij do ta përforcoj ndjeshëm ekipin kryeqytetas. Argjentinasi e ka prekur Serinë A që në vitin 2012 kur mbërriti tek Palermo, më pas 7 vite me Juventusin ku fitoi ndër të tjera 5 tituj kampion, teksa tashmë do të nis një kapitull të ri nën drejtimin e Jose Mourinhos.