Angli, Man.City u përfol se interesohej për Neymar, por Guardiola mohon gjithçka

Sport

Prej disa ditësh, mediat angleze e ato franceze kanë raportuar se Manchester City vijon të mendojë për ndryshime në repartin sulmues dhe si objektiv i radhës, mendohej braziliani Neymar. Largimi i Raheem Sterling nga kampionët e Anglisë, thjesht sa shtoi edhe më shumë këto spekulime, derisa në lidhje me këtë çështje ka folur edhe trajneri i ‘cityzens’, Pep Guardiola. Ky i fundit thuhej të kishte këmbëngulur në transferimin e Neymar, por një gjë e tillë rezulton të jetë e pavërtetë. Tekniku katalanas u shpreh përpara mediave se as ai dhe as ndonjë drejtues i Manchester City nuk ka folur për një afrim të mundshëm të Neymar. Ai tha se braziliani është një lojtar i jashtëzakonshëm, me cilësi që çdo lojtar do të donte t’i kishte, por për momentin sipas tij nuk ka asnjë mundësi që një transferim i tillë të ndodhë.

“Më vjen keq për mediat franceze që e kanë nxjerrë këtë lajm, por nuk është e vërtetë. Informacioni që kanë marrë është fals. Neymar është një lojtar i mrekullueshëm dhe një djalë shumë i mirë. Mendoj se duhet ta lini të shprehet si duhet në Paris. Më vjen keq, por nuk jemi interesuar për të.”

Mancheser City ka qenë mjaft aktiv në merkaton në sulm, ku largimet e Gabriel Jesus tek Arsenali dhe Raheem Sterling tek Chelsea, pasuan afrimin e Erling Braut Haaland nga Dortmund dhe Julian Alvarez nga River Plate. Veç tyre, pjesë të skuadrës janë bërë edhe mesfushori Kalvin Phillips dhe portieri i dytë, Stefan Ortega. Guardiola është shfaqur mjaft i kënaqur me atë që lojtarët e rinj të skuadrës kanë treguar në fazën përgatitore, por u shpreh se u duhet dhënë më shumë kohë për t’u përshtatur e për t’u shprehur lirisht në fushën e lojës. Për këtë, ai tha se do të kujdeset të largojë presionin mediatik ndaj tyre, duke bërë që të përqëndrohen vetëm tek objektivat e sezonit të ri.